Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, tha se sot administrata publike ka një forcë aftësish dhe një mundësi të shprehjes që kurrë se ka pasur më parë.

Rama vlerësoi administratën publike veçanërisht në procesin e screening apo sikundër tha Kryeministri, procesin e diagnostikimit të problematikave të një vendi, përpara se të hapen negociatat me Bashkimin Europian.

“Kam pasur brenda meje gjithmonë, siç kanë pasur ndoshta edhe qytetarët shqiptarë, mbase jo në nivelin e shumicës që mendojnë se, administrata është një territor me shumë hije,  një ndjesi pasigurie dhe një ndjesi që ajo është pjesa më e pamundur e misionit tonë, për ta ngritur në një nivel të respektueshëm.

Por, në procesin e diagnostikimit të Shqipërisë një skuadër goxha e madhe në numër ka arritur të prodhojë një rezultat që ka qenë befasues për mua.

Dhe nëse kam pasur një frikë nga momenti i hapjes së atij procesi duke dëgjuar të tjerë kolegë që e kishin njohur më parë se çfarë është procesi i diagnostikimit të një vendi përpara hapjes së negociatave me BE, ajo që kisha frikë ishte se si do tia dilnim ne këtij procesi”, tha Rama.

Në vijim, Kryeministri deklaroi se është bërë një punë serioze dhe e vështirë për të transformuar administratën publike dhe për ti dhënë një forcë aftësish dhe një mundësi të shprehjes së tyre që nuk e ka pasur më parë.

“Administrata publike edhe më parë ka pasur njerëz të zotë pa diskutim, mund të gjeni njerëz që kanë 30 apo 40 vjet në administratë, që janë thesar i administratës, por ajo nuk ka pasur mundësinë që të ndjehet e motivuar për tu shprehur, sepse ishte e dhunuar nga presioni politik”, tha Rama.

Në fjalën e tij, Kryeministri nuk la pas batutat kur u shpreh se “për administratën është krijuar një ide se nuk mund të nisësh punë nëse nuk je nga Dibra apo nëse nuk ke kushëri me Ulsiun, apo nëse nuk je me Partinë Socialiste”.

Por Rama e konsideroi këtë një të pavërtetë të madhe. Ai tha se ka takuar shumë të rinj që janë bërë pjesë e administratës publike si pasojë e konkurseve. “Nëse konkurset do të ishin farsë, atëherë si shpjegohet që 1/3 e tyre dalin pa fitues? Dhe kjo ndodh për shkak të kritereve të forta”, tha Rama.

Kryeministri tha se ideja e këtij programi ka lindur pikërisht në kohën kur kishte hyrë në fuqi ligji për administratën dhe kur kërkohej që ata që do të hynin në konkurse për një pozicion pune duhej të kishin një vit eksperiencë, që të rinjtë nuk e kishin, dhe Programi i Praktikave të Punës, ua jep këtë mundësi.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, konsiderohet si një histori e bukur suksesi e Qeverisë shqiptare.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb