Parku arkeologjik i Lezhës ka mirëpritur 6698 vizitorë gjatë periudhës janar-shtator 2024.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se “në këtë periudhë numri i vizitorëve ka shënuar një rritje prej 74% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku 35% e vizitorëve janë turistë të huaj”.
Prej kalasë, tashmë e vizitueshme edhe mbrëmjeve, shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik.
Parku arkeologjik i Lezhës ndodhet në pjesën lindore të qytetit me të njëjtin emër. Lisi (Lezha antike), i ndërtuar në kodër, kishte një pozicion strategjik që kontrollonte luginën e Drinit deri në Gjirin e Shëngjinit në detin Adriatik. Ai dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë prehistorik qysh në shek. IV para Krishtit dhe ishte qyteti më i fortifikuar i Ilirisë, me një numër të madh kullash mbrojtëse. Kalaja e qytetit antik të Lezhës rrethohet nga mure të periudhave të ndryshme që vijojnë nga Antikiteti, shek. IV para Krishtit.
Lezha, me kalanë mesjetare, dominon gjithë hapësirën deri në detin Adriatik. Objektet e shumta arkeologjike, monumentet e kultit dhe dëshmitë historike, përbëjnë një destinacion tërheqës për turizmin kulturor.