Transferta e Pragës është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë është jetike edhe për Republikën Çeke. Pas xhiros së dytë, dy ekipet ndodhen në kuotën e 3 pikëve, për këtë arsye të gjithë në radhët e Çekisë kërkojnë maksimumin përballë kuqezinjve të Sylvinho-s.
Dy ekipet kanë kujtime të freskëta pasi vetëm një vit më parë u përballen dy herë në kualifikueset e Evropianit, me Shqipërinë që i mori 4 pikë të cilat ishin përcaktuese për kualifikimin në “Euro2024”.
Çekia ka nisur përgatitjet për këtë takim, ndërsa mesfushori i Espanyol, Alex Kral, shok skuadre me Kumbullën, foli me respekt për kuqezinjtë në konferencë për shtyp, por në të njëjtën kohë u shpreh i bindur se mund të dalin me pikë të plota nga ky takim:
“Ata janë një kundërshtar i pakëndshëm. Luajnë shpejt, kanë tranzicione të shpejta. E pamë në ndeshjen e tyre me Ukrainën (2:1), kjo është diçka për t’u pasur kujdes. Besoj se ata janë padyshim të thyeshëm”, u shpreh Alex Kral.
(BalknaWeb)