Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka mbajtur fjalën e tij, me rastin e nisjes së vitit akademik për 150 studentë në Akademinë e Sigurisë.
Proda tha se këta të rinj, kur të dalin në jetë, do të kenë një përgjegjësi të lartë shoqërore. Ai iu uroi suksese edhe 400 punonjësve bazë, që do të shërbejnë prej sot në Policinë e Shtetit.
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda, mbajtur në Akademinë e Sigurisë, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik për 150 studentë dhe certifikimit të 400 kursantëve që përfunduan Kolegjin e Policisë për Patrullë të Përgjithshme:
Sot është një ditë e veçantë për Policinë e Shtetit dhe për mua si Drejtor i Përgjithshëm, duke patur privilegjin t’i drejtohem qindra vajzave dhe djemve nga këto ambiente të Akademisë së Sigurisë, vendi ku merr jetë formimi policor, ku plotësohet dëshira e realizohet ëndrra e brezit të ri, për t’u bërë punonjës policie dhe qytetar model dhe për t’u rreshtuar në anën e së drejtës.
Qindra të rinj e të reja sot pasi përfunduan me sukses Kolegjin Policor për Patrullë të Përgjithshme, do t’i bashkohen familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit.
Me dijet e fituara në Kolegj dhe ato në terren, gjatë periudhës së praktikës, ju tashmë jeni të gatshëm për të përmbushur detyrat që do t’ju ngarkohen, duke trajtuar me profesionalizëm dhe paanësi, cdo problematikë me të cilën do të përballeni duke vënë në qendër të fokusit tuaj njeriun.
Të nderuar kolegë të sapocertifikuar, kohët kanë ndryshuar dhe vazhdojnë të ndryshojnë. Ajo që nuk ka ndryshuar është roli ynë në shoqëri, të mbrojmë dhe të shërbejmë. Ne jemi ndihma dhe mbrojtja për qytetarët dhe pronën e tyre. Jepni më të mirën tuaj, pasi ne jemi imazhi i vendit. Kini parasysh se mënyra më e mirë për ta parashikuar të ardhmen është ta krijosh atë.
Çdo ditë të punës tuaj, shërbejuni dhe trajtoni qytetarët në mënyrë të drejtë dhe me respekt ashtu siç do të trajtonit familjen tuaj. Ne nuk jemi padronë të qytetarëve, ne jemi zbatues të ligjit, jemi pjesë integrale e komunitetit dhe ata janë aleati ynë më i rëndësishëm, këtë mos e harroni kurrë.
Ata qytetarë që shkelin ligjin dhe respektin për ju, përgjigjjuni me ligj, jo me ego personale. Integriteti juaj është çelësi kryesor për suksesin e përmbushjes së detyrës që do të filloni nga dita e sotme.
Mos harroni se puna jonë është partneritet i përditshëm me qytetarët. Ajo fillon bardh e zi dhe ngjyrat varen nga përkushtimi juaj. Bëhuni një model mirë, pasi ju është besuar një mision i shenjtë. Nëse e doni atë që bëni, do të jeni të suksesshëm. Ju tashmë keni përpara mundësinë për të arritur sukses në misionin tonë fisnik. Kurrë mos abuzoni me detyrën dhe përpiquni që ta bëni të nesërmen më të mirë. Secili prej nesh është një model, sepse diku sot një vajzë apo një djalë i vogël po thotë “Dua të jem si ti.”.
Kjo ditë mbart me vete një tjetër sukses të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, hapjen e dyerve të Akademisë së Sigurisë për maturantët, për të ndjekur studimet Bachelor në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit.
Pa dashur të përdor figura letrare, sinqerisht theksoj se kjo është një nga nismat më të mira të ndërmarra vitet e fundit për formimin policor me qëllimin për të pasur një trupë policore të mirëshkolluar.
Mirë se erdhët dhe ju falënderoj që zgjodhët t’i bashkoheni familjes sonë të madhe, që zgjodhët të beheni pjesë e një misioni fisnik, por edhe të vështirë. Mirë se erdhët në familjen e shërbimit dhe zbatimit të ligjit!
Dua t’ju garantoj juve dhe nëpërmjet jush, mijëra punonjësve të Policisë në çdo skaj të vendit, që do të jem përkrahësi juaj me i madh në çdo iniciativë, aksion dhe mision në interes të qytetarëve dhe të ligjit, por dhe kundërshtari juaj më i ashpër në rast se e harroni apo cenoni misionin tonë.
Të nderuar studentë, ju duhet t’i bëni vetes një premtim solem, për të trajtuar çdo ditë këtu në akademi, si një përvojë mësimore, cdo ditë e me shumë duhet të përsoseni pasi ju do të jeni oficerët e gjeneratës së re.
Të bashkohesh në këtë sipërmarrje të lartë do të thotë të heqësh dorë nga shumë liri individuale, duhet të kuptoni që për shkak të kufizimeve që sjell detyra ju nuk do të jeni si bashkëmoshatarët tuaj. Menaxhojeni me sukses këtë gjë, shikojeni si një sakrificë për qytetarët, familjet tona dhe për vendin tonë të shtrenjtë.
Kurrë mos nënvleftësoni fuqinë tuaj për të ndryshuar veten dhe kurrë mos mbivlerësoni fuqinë tuaj për të ndryshuar të tjerët. Kur të dilni nga këto ambiente, mjafton të keni dëshirën dhe dijet për t’ju shërbyer me etikë dhe profesionalizëm qytetarëve.
Vlera e uniformës së punonjësit të Policisë sot është më e lartë se kurrë, jeni me fat për këtë, aq sa duhet të jeni të vetëdijshëm mbi përgjegjësitë dhe sakrificat që ka si kosto kjo vlerë.
Sytë e kthyer drejt jush, vëmendja, dhe mbështetja duhet të pasohen me përgjëgjshmëri të lartë, rezultate të matshme dhe ridimensionim total të imazhit tonë publik.
Ju uroj juve përzemërsisht suksese dhe punë të mbarë pedagogëve tuaj. Sukese dhe kolegëve të rinj që do marrin detyrën pas kësaj ceremonie!
Faleminderit!
(balkanweb)