Disa muaj pas ngjarjes së rëndë ku Klea Prenga mbeti e lënduar pasi u dhunua barbarisht nga dy motrat Antonela dhe Marinela Berishaj ka dalë akt ekspertiza.
Sipas ekspertizës, rezulton se Prenga ende ka probleme shëndetësore edhe pse ka kaluar kohë nga sulmi, teksa disa prej dëmeve të marra janë të parekuperueshme.
Shenja e cila i ka mbetur në fytyre nga thyerja e shisheve përkatësisht në zonën e mollëzës së njërës faqe, është e parikuperueshme dhe kjo i ka ndikuar edhe tek puna e saj si blogere.
E reja kallëzoi motrat Berishaj pas ngjarjes, teksa edhe nga pamjet e publikuara e reja ka qenë duke konsumuar ushqim me disa shoqe, të cilat as denjuan të çohen nga tavolina dhe t’i vijnë në ndihmë të resë, shfaqen motrat Berisha të cilat e sulmojnë barbarisht të renë.
Teksa më herët Antonela Berishaj e njohur nga pjesëmarrja e saj në një emision, vijon aktivitetin e saj në rrjetet sociale edhe pse së bashku me motrën e saj, Marielën janë të shpallura në kërkim.
Dy motrat, Berishaj akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim.
Akt ekspertimi i Klea Prengës
Në datën 09.09.2024 shtetasja e mësiperme u paraqit për ekzaminim objektiv pranë IML. Në momentin e paraqitjes, gendja e përgjithshme paraqitet jo e mirë. Nga ana emocionale, është e ngarkuar dhe ka një labilitet të shtuar. Referon se kohët e fundit është mbyllur në vetvete, ka kufizuar shumë daljet në publik dhe nuk i frekuenton më ambientet e dikurshme për shkak të kompleksit të krijuar nga pamja e jashtme. Referon se ka humbur punën si blogere për shkak të cënimit të imazhit dhe publikimit mediatik të ngjarjes.
Aktualisht, ankon për mpirje të anës së djathtë të fytyrës dhe kryesisht buzës së sipërme nga ana e djathtë. Gjatë lëvizjes së buzëve shihet një kufizim i mbylljes së plotë dhe hapje më e kufizuar në anën e djathtë të buzëve.
Në regjionin zigomatik suborbital të djathtë, vërehet mbetje e një plage në trajtën e gërmes “L” të përmbysur, me drejtim horizontal që fillon nga mollëza e djathtë dhe shkon në drejtim të kurrizit të hundës, me gjatësi të krahut të shkurtër 2.1 cm dhe krahut të gjatë 5.2 cm, në trajtë ulluku, me ngjyrë të kuqërremtë dhe nuanca të bardha e të zeza, në të cilën projektohen shenjat e 13 qepjeve.
Zona përreth mbetjes së plagës paraqitet edematoze, me trajtë elipsoide, me diametra 7 x 3.5 cm. Në regjionin tëmthor të djathtë vihet re një tjetër mbetje plagë, me të njëjtat karakteristika, trajtë gjatësore, pak e harkuar, 2.3 cm, me drejtim vertikal, me praninë e mbetjeve të 6 suturave. Në regjionin frontal të djathtë vihet re prania e një zone me nxirje të lëkurës me përmasa 3×2 cm, me konsistencë të ashpër, e dukshme në distancë të konsiderueshme.
Dëmtime të tjera të jashtme trupore nuk u konstatuan. E dëmtuara ka realizuar një ekzaminimin elektroneurografik për nervat facialë të anës së djathtë të fytyrës dhe nga ky ekzaminimin rezulton si më poshtë:
“Parametrat elektrofiziologjike janë brenda normës për nervin facial. Asimetria qe vihen në dukje i dedikohen më shumë dëmtimeve të vogla të fibrave muskulare apo degeve fundore të nervit facial”.Konkluzion: Duke u mbështetur në të dhënat e mësiperme arrijmë në përfundimin se:
Tek shtetasja Klea Prenga u konstatua mbetje e plagëve në fytyrë me karakteristikat dhe lokalizimet e lartpërmendura, shoqëruar me asimetri të dukshme të buzës së sipërme dhe muskulatures së anës së djathtë të fytyrës.
Këto demtime janë të përhershme, të pariparueshme vetvetiu apo me teknika të zakonshme mjekësore, si të tilla kanë dhënë për pasojë shëmtim tek shtetasja e mësipërme; ndaj bazuar mbi kriterin e “shëmtimit” keto dëmtime hyjnë në kategorinë e dëmtimeve të rënda trupore”.
(BalkanWeb)