Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut të mërkurën shfuqizoi “Balancuesin” mekanizmin që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve në institucionet shtetërore. Ky vendim prek edhe punësimet në administratën publike.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, theksoi pas seancës se pretendimet se janë shfuqizuar të drejtat e etnive janë “gënjeshtra dhe manipulime”.

“Gënjeshtër dhe manipulim është konstatimi se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj ka shfuqizuar të drejtat e cilësdo etni, kjo nuk është e vërtetë… Siç ishte manipulimi se Gjykata me veprimin e saj për këtë apo cilëndo lëndë tjetër, mund t’i prishë marrëdhëniet politike, etnike, ose të jetë shkas për destabilizim”, theksoi Kostadinovski para gazetarëve.

Ai tha se vendimet e Gjykatës duhet të respektohen nga të gjithë, përfshirë edhe politikanët.

Çfarë është “Balancuesi”?

Mekanizmi softuerik i “Balancuesit” përcaktonte punësimet në administratën publike sipas përkatësisë etnike, me qëllim promovimin e barazisë etnike dhe përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike në institucionet publike. Ky mekanizëm përdorej për të zbatuar obligimin kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, që buron nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001. Në praktikë, “balancuesi” siguronte që përfaqësimi etnik në sektorin publik të përputhej me përqindjen e popullsisë.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, Maqedonia e Veriut numëron rreth 2 milionë banorë, prej të cilëve 54.21 për qind janë maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, ndërsa të tjerët pjesëtarë të etniteteve më të vogla.

Por, nga vitit 2024, Qeveria e re vendosi që për bazë të “balancuesit” në punësimet e reja të merret përqindja e popullsisë rezidente, sipas së cilës 58.44 janë maqedonas etnikë, kurse 24.3 shqiptarë. Së këndejmi, përqindjet e reja të punësimit ishin: maqedonas nga 54.21% në 58.44%, shqiptarë nga 29.52% në 24.30%, turq nga 3.98% në 3.86%, romë nga 2.34%. në 2.53%, serbë nga 1.18% në 1.30%.

Në fund të shtatorit, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme pezullimi ndaj dispozitave të këtij mekanizmi. Por, nga 9 tetori 2024, në shpalljet për punë do të ketë vetëm kritere bazë për punësim dhe nuk do të ketë kriter të përfaqësisë etnike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: