Franca do të jetë nikoqire e një konference ndërkombëtare ministrore për krizën në Liban më 24 tetor, ku do të diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje politike atje dhe për ndihma humanitare, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, tha Ministria e Jashtme e Francës.
“Synimi i saj do të jetë mobilizimi i komunitetit ndërkombëtar për t’iu përgjigjur nevojave për mbrojtje dhe ndihmë emergjente për popullin libaneze, si dhe identifikimi i mënyrave për t’i mbështetur institucionet e Libanit, veçanërisht Forcat e Armatosura Libaneze, të cilat janë garantues të stabilitetit të brendshëm të vendit”, tha Ministria në një deklaratë të mërkurën.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Izraeli nuk është ftuar dhe nuk është e qartë nëse përfaqësues të ndryshëm politikë libanezë do të ftohen.
Parisi ka lidhje historike me Libanin dhe është duke punuar me Shtetet e Bashkuara në përpjekje për arritjen e një armëpushimi në vendin e Lindjes së Mesme.
Bisedimet ngecën në fund të shtatorit, kur Izraeli i bombardoi ashpër rrethinat e Bejrutit, duke e vrarë liderin e kamotshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Më pas, ushtria izraelite nisi ofensiva tokësore në jug dhe jugperëndim të Libanit, duke i detyruar mijëra njerëz të zhvendosen.
Ministria tha se në konferencë do të marrin pjesë partnerë rajonalë dhe ndërkombëtarë të Libanit, Kombet e Bashkuara, si dhe partnerë nga shoqëria civile.