Gjatë qëndrimit në Preshevë, Lulzim Basha është takuar edhe me deputetin shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Deputeti i Preshevës tha se është e rëndësishme që të kemi bashkëpunim shumë më të afërt me politikën në Tiranë, qoftë në opozitë qoftë në pozitë.

Sipas tij, Lugina e Preshevës sot është e rrezikuar dhe mbështetja e Tiranës dhe Prishtinës është mëse e nevojshme.

“Kënaqësi e veçantë që sot në Bujanoc presim Lulzim Bashën, me të cilin biseduam për sfidat e shumta me të cilat përballen shqiptarët në Luginë të Preshevës. Në vazhdimësi me diskriminimin e përgjithshëm i cili është i cili është i imponuar nga një sistem totalitar i Serbisë. Me pasivizimin e adresave, me mos integrimin në organet shtetërore, me mos zhvillim ekonomik dhe me një trysni të vazhdueshme që përmes militarizimit Serbia po e bën dhe që shkakton valë të largimit sidomos të të rinjve shqiptarë. Është e rëndësishme që të kemi bashkëpunim shumë më të afërt me politikën në Tiranë, qoftë në opozitë qoftë në pozitë. Lugina e Preshevës sot ka nevojë për ndihmën e secilit. Lugina e Preshevës sot është e rrezikuar dhe bërthama kombëtare këtu është e rrezikuar. Prandaj kemi nevojë për mbështetje dhe për bashkëpunim me të gjitha institucionet qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë. Por në vazhdimësi edhe me forcat politike edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”, ka thënë Kamberi.

Nga ana e tij, Lulzim Basha denoncoi politikën e Beogradit duke e quajtur spastrim të heshtu etnik, pasivizimin e adresave dhe përjashtimin e shqiptarëve nga administrata publike. Gjithshtu, Basha veçoi se në Luginën e Preshevës mungojnë edhe investimet, një tjetër formë diskriminimi nga qeveria serbe.

“Për fat të keq, Beogradi shpeshherë duket se ‘qimen e ndërron por zakonin nuk e harron’. Në këtë kuadër vazhdimi i spastrimit të heshtur etnik me pasivizimit të adresave, përjashtimi në formë pothuajse të aparteitit të shqiptarëve nga administrata publike, mungesa e investimeve në infrastrukturën publike, shkurajimi i investimeve private ku në pjesë të tjera të Serbisë ato subvencionohen nga taksat e taksapaguesve. Por edhe lajmi i keq i përgatitjes së një legjislacioni për shërbimin e detyrueshëm ushtarak i cili faktikisht përjetohet nga shqiptarët e Luginës së Preshevës me të drejtë si një thirrje për t’u larguar nga trojet e tyre, janë dhe problemet kryesore që u ngritën gjatë bashkëbisedimit që patëm së bashku. Fjalët dhe veprat e Tiranës dhe Prishtinës duhet të përputhen me njëra-tjetrën. Mbështetja nuk duhet të mungojë në këtë kuadër“, u shpreh Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb