Forcat Mbrojtëse Izraelite i kanë bërë një tjetër paralajmërim popullsisë së jugut të Libanit, duke i sugjeruar që të bëjë kujdes sepse trupat do të vazhdojnë të sulmojnë bazat e Hezbollahut në rajon.

“Për sigurinë tuaj ju ndalohet të ktheheni në shtëpitë tuaja deri në një lajmërim të ri. Kushdo që shkon në jug vë në rrezik jetën e tij”, thotë paralajmërimi.

Urdhri i shtetit hebre është shtrirë tashmë në mbi 100 fshatra dhe distrikte të Libanit të jugut.

Një ditë më parë, forcat ajrore izraelite goditën rreth 185 objektiva të Hezbollahut dhe 45 të Hamasit në Rripin e Gazës, përfshirë celula terroriste, struktura ushtarake, pika vëzhgimi dhe depozita armësh.

Ndërkohë, Komiteti për Menaxhimin e Katastrofave në veri të Libanit ka bërë të ditur se janë rreth 59 mijë të zhvendosurit si pasojë e sulmeve izraelite në jug dhe në lindje të vendit. Sipas njoftimit, ata janë drejtuar për në veri.

Një reagim ka ardhur edhe nga Ministria e Shëndetësisë së Hamas, sipas të cilës të vdekurit në Gaza janë mbi 42 mijë, kur kanë kaluar vetëm 2 ditë nga përvjetori i sulmit të 7 tetorit 2023. Bilanci përfshin 45 të vdekur në 24 orët e fundit, si dhe rreth 98 mijë të plagosur që nga fillimi i luftës.

Ndërkohë, lideri i Hamasit, Jahja Sinuar ka urdhëruar krerët e organizatës që të rifillojnë sulmet vetëvrasëse në Izrael, pak pasi zëvendësoi Ismail Hanijeh si udhëheqës i grupit.

Lajmin e bën të ditur “Wall Street Journal”, që citon funksionarë të shërbimeve arabe të inteligjencës. “Është koha që të rifillojmë atentatet vetëvrasëse”, ka qenë direktiva e Sinuar, e cila është pritur me rezerva nga disa anëtarë të vjetër të Hamasit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: