Të shtunën në mbrëmje në Leskovac të Serbisë, kombëtarja serbe do të presë Zvicrën, në ndeshjen e vlefshme për raundin e 3 të Ligës së Kombeve. Në pamje të parë, nuk duket të ketë asgjë të veçantë, përveçse një ndeshje të zakonshme futbolli, por nëse i rikthehemi të shkuarës, kjo ndeshje është më shumë se speciale dhe e ndjerë jo vetëm nga tifozët e të dyja këtyre vendeve, por edhe nga shqiptarët kudo ku janë. Sigurisht në kombëtaren zvicerane luajnë disa lojtarë shqiptarë, të cilët edhe në të shkuarën kanë treguar se të luash ndaj Serbisë, vlen më shumë se një sfidë 90 minutëshe.

Sfida e zhvilluar për Kupën e Botës në 2018 do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e çdo tifozi shqiptar, teksa shijuan në maksimum fitoren me përmbysje 2-1 të kombëtares zvicerane, ku të dy golat u realizuan nga futbollistët tanë Xhaka dhe Shaqiri, që nuk mund të mos lotonin pas gëzimit të atyre golave. Edhe në botërorin e fundit në Katar, Zvicra i’a doli të mposhte sërish kombëtaren serbe, këtë here me rezultatin 3-2 dhe sërish Shaqiri arriti të shënonte një gol.

Sigurisht flasim vetëm për futboll dhe mirë është që përplasjet politike të mos interferojnë tek loja e bukur e futbollit, por kur flasim për ngarkesën e lartë që kjo përballje ka, padyshim duket e pashmangshme të mos flasësh për të shkuarën dhe problematikat e vazhdueshme të popullit të shqiptarëve të kosovës dhe shtetit serb.

Megjithatë ka qenë vetë kreu i federates zvicerane të futbollit, i cili theksoi se nga ana e tij nuk do të ketë asnjë kërkesë për shtim të masave të sigurisë kjo pasi ai beson fortë tek masat që UEFA dhe vetë organizatorët e kësaj ndeshje do të marrin. Gjithashtu lidhur me lajmet se tek skuadra e zvicrës është diskutuar se Granit Xhaka për çështje sigurie mund të mos udhëtonte me ekipin, ai i mohoi kategorikisht, duke theksuar se kjo gjë nuk kishte ndodhur asnjëherë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: