Me apo pa Kristjan Asllanin, kjo është dilema e madhe Sylvinho-s. Pavarësisht se mesfushori kuqezi është rikuperuar plotësisht, dukshëm Asllani nuk është në kushtet e tij perfekte, një shqetësim muskulor bëri që fillimisht të stërvitej në mënyrë të diferencuar. Ky fakt fut në mendime trajnerin Sylvinho, por sërish braziliani pritet t’i besojë mesfushorit të Inter një fanellë titullari, në sytë e tij, Asllani është i padiskutuar. Nëse do të jetë në gjendje është e sigurt që do të zbres në fushë nga minuta e parë. Pjesa tjetër e formacionit nuk ka shumë dilema.

Në portë, Strakosha, ndërsa as krahët nuk preken me Hysajn në të djathtë dhe Mario Mitaj në të majtë. Ndryshimi i vetëm vjen në qendër, ku në mungesë të Gjimshitit, Sylvinho pritet t’i besojë dyshen e qendrës Kumbullës dhe Ismajlit, dy lojtarë që po kalojnë një moment të shkëlqyer.

Përkrah Asllanit në mesfushë do të jetë rikuperuesi më i mirë i Serie A, Ylber Ramadani, ndërsa Qazim Laçi do të jetë i vendosur përpara tyre.

Në të majtë të sulmit, Sylvinho pritet t’i besojë një fanellë titullari Nedim Bajramit, ndërsa në të djathtë i paprekshmi Jasir Asani.

Në mungesë të Brojës dhe Rey Manajt, nga minuta e parë në qendër të sulmit do të zbres Mirlind Daku. “Bomberi” kuqezi ofron garanci pasi vjen në këtë grumbullim me 6 gola dhe 2 assiste me ekipin e tij Rubin Kazan.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb