DIBËR

Nuk arrin dot të flasë. Dhimbja e ka përkulur edhe pse sipas zakonit duhet të presë e përcjellë njerëz që vijnë për ta ngushëlluar për një dhimbje që nuk ka ngushëllim. Dhimbje e dyfishtë, për vdekjen e vajzës dhe që e ktheu dhe njëherë në duart e bashkëshortit.

Met Gjura, babai i Eleonora Trocit, 24-vjeçares që u mbyt nga burri në prani të fëmijëve në orët e para të mëngjesit të së mërkurës njihet nga të gjithë si një burrë “i urtë” dhe “në punë të vet”.

Në një prononcim ekskluziv për gazetarin Enver Doçi, të zbardhur nga “BalkanWeb”, babai i së resë ka treguar se ishin divorcuar para disa muajsh, por ishte kthyer sërish me ish-bashkëshortin pasi pleqtë kishin ardhur dhe kishin kërkuar pajtim. Ai tregoi se lajmin e kishte marrë vesh vetëm sot në mëngjes, pra 24 orë pas ngjarjes.

“E kam vrarë unë me dorën time se nuk duhet ta kisha dhënë pasi u bë divorci. E dërgova për së dyti tek ai burrë. U bëra sebep se erdhi miqësia për ta dhënë te kjo familje”, tha ai për gazetarin Doçi.

Të gjitha banorët flasin fjalët më të mira për familjen e 24-vjeçares dhe vetë të renë që e njihnin si një vajzë të urtë që kujdesej për fëmijët pavarësisht vështirësive ekonomike.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Caserta, Itali, ku viktima kishte vetëm dy muaj që i ishte bashkuar ish-burrit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb