Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë konferencës së përbashkët mme presidentin Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se Shqipëria do të marrë dronë kamikazë nga shteti turk. Rama u shpreh se kjo marrëveshje me Ankaranë dëshmon edhe njëherë se Shqipëria është e pagoditshme. Kreu i qeverisë shtoi se nga ky zhvillim në fushën ushtarake nuk duhet që të shqetësohet askush.
Shqipëria, tha Rama, do të vijojë fuqizimin e industrisë ushtarake duke shtuar se bota ka marrë një drejtim të çuditshëm duke iu referuar luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.
Edi Rama: Ne jemi shumë të interesuar dhe të përmbushur sot, pas konfirmimit të një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënie në aspektin ushtarak. Dihet botërisht që Turqia ka arritur një nivel shumë të lartë kapacitetesh të prodhimit për industrinë ushtarake dhe ne kemi identifikuar konkretisht investime në këtë fushë. E thashë edhe në hapje të mbledhjes së këshillit dhe e përsëris, unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar kur bota ka marrë një drejtim të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë. Është një dhuratë që nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria. Besoj se është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme.
Shqipëria dhe Turqia kanë nënshkruar tre marrëveshje në fushën e bujqësisë dhe arsimit. Marrëveshja e parë e nënshkruar ishte ajo për bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë. Shqipëria dhe Turqia nënshkruan edhe protokoll bashkëpunimi mes ministrive të arsimit të të dy vendeve për hapjen e degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri. Dhe marrëveshja e fundit e firmos ishte memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin.
Konferenca e plotë për mediat
(BalkanWeb)