Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ndërsa Izraeli vazhdon operacionet ushtarake në Gazë dhe Liban dhe po shqyrton mundësinë për një përgjigje ndaj sulmeve të fundit me raketa nga Irani.
Kjo ishte biseda e tyre e parë që nga 21 gushti. Shtëpia e Bardhë tha se Nënpresidentja Kamala Harris iu bashkua gjithashtu bisedës.
Kryeministri Netanyahu po shqyrton mënyrat e kundërpërgjigjes ndaj sulmit të Iranit kundër Izraelit më 1 tetor me rreth 200 raketa balistike.
Presidenti Biden ka thënë se nuk do të mbështeste një sulm izraelit kundër objekteve bërthamore të Iranit.
Ndërkohë, zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë të mërkurën se nga sulmet izraelite gjatë natës në veri dhe qendër të Gazës mbetën të vrarë të paktën 18 persona.
Sulmet goditën kampet e refugjatëve Nuseirat dhe Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, si dhe kampin e refugjatëve Jabaliya në Gazën veriore.
Ushtria izraelite tha të mërkurën se kreu sulme ajrore dhe tokësore në Gazë kundër militantëve të Hamasit.
Luftimet dhe urdhrat e përsëritur nga Izraeli për evakuim kanë bërë që civilët palestinezë të mos kenë ku të shkojnë, thanë Kombet e Bashkuara.
Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë palestineze të OKB-së për refugjatët, UNRWA, shkroi në rrjetin X se të paktën 400,000 njerëz janë bllokuar në Gazën veriore.
Zoti Lazzarini tha se shumë njerëz po refuzojnë të ndjekin urdhrat e evakuimit “sepse e dinë shumë mirë se asnjë vend në Gazë nuk është i sigurtë”.
Ushtria izraelite tha se kreu operacione të reja ajrore dhe tokësore të mërkurën kundër militantëve të Hezbollahut në Libanin jugor dhe tha se tre ushtarë të saj u plagosën në luftime të martën dhe të mërkurën.
Kryeministri i Izraelit tha të martën se ushtria e vendit të tij kishte vrarë atë që dyshohet të ishte pasardhësi i udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallahu i cili u vra në një sulm izraelit në Bejrut më 27 shtator.