Gazetari Arion Sulo, i ftuar në rubrikën Çështja e ditës nga Klevin Muka në News 24 ka komentuar vizitën e presidentit të Turqisë Rexhep Tajip Erdogan në Shqipëri.
Sulo tha se përurimi i Xhamisë së Namazgjasë është vonuar pesë vite. Ai shtoi se nuk ka pasur ftesë në përurim për kreun e KMSH, Bujar Spahiu, pasi Turqia atë e konsideron si “gylenist”, grupimi që Erdogan lufton në shtetin turk.
Arion Sulo vlerësoi se mund të ketë përçarje të bashkësisë fetare islame në Shqipëri për shkak të ndërhyrjes së huaj politike (turke). Ai në fund tha se uron që gjithsesi në bashkësinë islame të ketë sa më pak përçarje dhe se besimtarët myslimanë e kanë pasur të nevojshme një xhami si ajo e Namazgjasë.
Arion Sulo: Kërkesa e presidentit Bajram Begaj në drejtim të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan se presidenca nuk ka shumë hapësirë nuk ishte dëgjuar më parë. Do e kuptoja Begajn, nëse do ishte një president si Alfred Mosiu. Begaj nga fillimi i Presidencës nuk ka korrigjuar ndonjëherë maxhorancën ose të ketë bërë negociatën për krizat politike në vend. Do thosha që president nuk të bën zyra. Kur Erdogani kërkoi goditje ndaj FETO-s në vitet e mëhershme, janë mbyllur shkolla e kopshte. Xhamia e Namazgjasë është kontribut i myslimanëve turq për myslimanët shqiptarë. Përurimi i xhamisë u vonua 5 vite. Sot është një ditë e shënuar për myslimanët shqiptarë, teksa kanë një vend të denjë, duke qenë njësoj si katolikët e ortodoksët, që kanë kishat e tyre. Është e paqartë kush e drejton xhaminë. Nuk ka ftesë për kreun e KMSH. Mungesa e ftesës vjen nga presioni i Turqisë, pasi kreu i KMSH trajtohet si gylenist dhe nuk është sot i pranishëm në ceremoni. Kanë gjetur një zgjidhje dhe kanë dërguar si përfaqësues myftiun e Tiranës, por KMSH ka nën menaxhim xhamitë në Shqipëri. Mund të kemi përçarje në bashkësitë fetare nga ndikimet e huaja politike. Sidoqoftë urojmë sa më pak përçarje dhe myslimanët ta gëzojnë xhaminë, që e meritojnë.
(Balkanweb)