Gjatë inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë, Kryeministri Edi Rama njoftoi se kryemyftiu i Tiranës, Bilal Teqja, do të jetë kujdestari i ri i këtij tempulli.

“Qoftë e mbarë dhe në shërbim të besimtarëve të Tiranës e të gjithë Shqipërisë,” u shpreh Rama, duke i uruar suksese Teqjas në këtë rol të rëndësishëm.

Kryeministri gjithashtu falënderoi Presidentin e Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, duke e cilësuar atë një mik të çmuar për shqiptarët.

“Edhe kjo xhami i jep domethënien e plotë katrorit të katër faltoreve të Tiranës, duke e përmbyllur skicën e këtij flamuri. Flamur që lind Shën Konstandinin, pajon islamin e krishterimin, shpall midis feve vëllazërimin, flamur bujar për njerëzimin.

Si çdo faltore tjetër e këtij vendi, kjo xhami e madhe është tani një vend i shenjtë. Qoftë më jetë kjo faltore një shëmbëlltyrë e Qabes një shtëpi e shpërblimit dhe e kthimit. Le të hyjmë këtu me këmbën të mbarë. Faleminderit president, je gjithnjë i mirëseardhur në Shqipëri, në shtëpinë tonë të vogël ku ka banesa të shumta.

Qoftë e mbarë edhe këmba e kryemyftiut të Tiranës Bilal Teqja, i cili nga sot do të jetë krye kujdestari i këtij tempulli dhe u priftë e mbara të gjithë besimtarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, dhe na ndihmoftë në rrugën tonë”, u shpreh Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb