Sot në Strasburg ka ndodhur një shpërthim në trenin që po transportonte deputetë të Parlamentit Evropian për në Bruksel, raporton “Politico”.
Politikanët sapo kishin hipur në trenin e Eurostar në orën 14:57, kur u bë evakuimi.
Emmanuel Fullon, një asistent parlamentar belg i grupit Renew Europe, shkroi në internet se dëgjoi një “shpërthim”.
Pele Gertsen, një zyrtar danez nga partia e Majtë, e përshkroi evakuimin si “kaotik”.
Shërbimet zjarrfikëse shkuan në vendngjarje në stacionin e trenit në Strasburg.
“Ka ndodhur një incident teknik në tren në stacionin e Strasburgut”, konfirmoi shërbimi për shtyp i parlamentit, duke shtuar se shërbimet e tij janë në kontakt me autoritetet kompetente dhe po bëjnë çmos për organizimin e mjeteve alternative të transportit.
“Ju lutemi qëndroni të qetë”, u kërkoi kolegëve të tij zyrtari parlamentar Guillaume Pringiers në një email të parë nga Politico.
Parlamenti Evropian cakton trena specialë për anëtarët dhe punonjësit e tij midis Brukselit dhe Strasburgut, ku ndodhen dhomat e tij. Në orën 14:57, treni kishte 750 ulëse të rezervuara, njoftoi shërbimi për shtyp i parlamentit.