Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Taulant Bica, përmes një komunikimi në studion e “Open” ka komentuar mungesën e kreut të KMSH në inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë ditën e sotme.

Ai u shpreh se në zyrat e KMSH ka ardhur një ftesë nga shteti shqiptar për pjesëmarrje, dhe pas diskutimit është vendosur që përfaqësimi i KMSH të përfaqësohet nga myftiu i Tiranës, Gazment Teqja.

Ky i fundit do të ketë edhe rolin e imamit të xhamisë së Namazgjasë.

“Sa i përket organizimit dhe mungesës së ftesës për kreun e KMSH, mund të them se ky organizim, për sa kohë ishin aktorët kryesorë, Erdogan dhe Rama, është një organizim që është bërë nga protokollet e dy shteteve. Kontaktet tona kanë qenë me shtetin shqiptar. Nga protokolli na ka ardhur një ftesë, ftesa është marrë në konsideratë dhe është diskutuar por kemi arritur në konkluzionin që KMSH të përfaqësohet nga myftiu i Tiranës që do të jetë edhe pjesë e menaxhimit të këtij objekti”, u shpreh Bica.

Ai shtoi se hapja e xhamisë u vonua përgjatë kësaj kohe pasi ka patur një ngërç në bisedimet mes KMSH dhe palës turke që ka investuar për ndërtimin e objektit.

Pa zbuluar detaje të shumta, Bica tha se ka pasur kërkesa nga të dyja palët dhe kështu u vendos që xhamia të menaxhohet nga një fondacion i formuar nga të dyja palët dhe duke patur myftiun e Tiranës si kryetar të këtij bordi.

Ky gjykim i përket Kryesisë së KMSH. Duke marrë shkak edhe nga ngërçet që kanë patur vonesat për hapjen e xhamisë dhe situata të tilla dolëm në këtë përfundim. Ngërçe nga komuniteti nuk ka pasur dhe nuk do të ketë, kishte ngërçe nga pala turke që investoi në xhami. Ata kanë pasur disa kërkesa, ne kemi pasur disa kërkesa. Si përfundim i këtyre bisedimeve dypalëshe është arritur në përfundimin që xhamia të menaxhohet nga një fondacion i formuar nga të dyja palët dhe duke patur myftiun e Tiranës si kryetar të këtij bordi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb