Një person ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një cisterne që ka ndodhur sot në një pompë të derivateve në Pejë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
“Një person ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit. Në vendin e ngjarjes janë zjarrfikësit, kryeprokurori, policia dhe të gjitha organet kompetente”, tha ai për Telegrafin.
Viktima dyshohet se është i moshës rreth 45 vjeç, ndërsa raportohet se ishte punëtor i pompës së derivateve. Më herët, policia konfirmoi se rasti ka ndodhur rreth orës 09:40.
“Rreth orës 09:40 kemi pranuar informatën për një shpërthim, dyshohet se ka shpërthyer një cisternë në pompë të derivateve. Jemi në vendin e ngjarjes, ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar”, tha ai.
Ndryshe, rruga Pejë-Deçan është bllokuar për qarkullim deri në përfundimin e procedurave nga Policia, e cila po qëndron te rrethi i njohur si i “Ukajve” dhe pas ekzaminimit do të lirohet për qarkullim.