Ilda Zhulali dhe Julian Hodaj, anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, përkatësisht të PD dhe PS, kanë debatuar në studion e News24 lidhur me mënyrën se si po qeveriset Tirana.

Debati që pamundësohet në sallën e Këshillit Bashkiak prej një kohe të gjatë, dy këshilltarët kanë zgjedhur ta bëjnë në studion e rubrikës “Opinion” në News24.

Zhulali u shpreh se Bashkia e Tiranës ka realizuar vetëm 12.5 % të investimeve, ndërsa Hodaj i ka konsideruar populizëm të mirëfiltë deklaratat që bën opozita. Hodaj dhe Zhulali debatuan për problematikat në kryeqytet, buxhetin e bashkisë, ndihmën ekonomike, investimet në infrastrukturë, por edhe për përmbytjet që shkaktohen nga reshjet e shiut etj.

Debati

Zhulali: Ti duhet të jesh i vetëdijshëm në çfarë niveli e ke popullsinë e qytetit tënd, kosto e jetesës është dyfishuar, janë më të varfër. Bashkia e Tiranës nuk e di sa njerëz që merrnin ndihmë ekonomike dhe sa kanë dalë, sa kanë hyrë, nuk e dinë. 40% e buxhetit të çdo familjeje shkon për ushqimet bazë. Me këto nivele pagash nuk marrin dot as shtëpi me qira as ta blejnë. Pensionistëve, qeveria, ua rriti pensionet sa 4 bukë në ujë. Kemi kërkuar uljen e taksave, si një mjet për uljen e kostove të jetesës.

Hodaj: Po si qenka më të varfër se janë dyfishuar pagat. 34 mijë lekë ndihma ekonomike, nuk është saj, është më e madhe. Zonja bëri retorikë, dha detaje të parëndësishme. Nuk arrijmë të bëjmë dot mbledhje normale të Këshillit Bashkiak, për shkak se këta shpallin mosbindje civile. Këta bllokojnë mbledhjet dhe e dini pse ndodh? Sepse e kanë gjetur si taktikë që të dalin jashtë dhe të thonë çfarë të duan. Mosbindje civile do të thotë të kundërshtosh një ligj në mënyrë civile, jo duke bllokuar mbledhjet dhe duke hedhur molotov. Nuk janë në atë shkallë agresiviteti që po ndodh në Kuvend, por mos mendoni se nuk do të shkojnë në atë fazë. Pasi duket se metri që kanë këto si parti është se kush është më agresiv.

Zhulali: Ka 9 vjet që mblidhet taksa e shkollës, a është përkthyer kjo taksë në ndërtimin e shkollave, çerdheve dhe kopshteve? Tiranës i duhen 848 çerdhe dhe kopshte dhe ka 147 gjithsej. Çfarë do të thotë kjo? Vetëm 20% mund ti çojnë fëmijët në shkolla e kopshte publike, të tjerët duhet ti çojnë në private. Ku kanë shkuar paratë e infrastrukturës arsimore? E dini se çfarë ka bërë? Ka prishur ato të vjetrat dhe ka ngritur të rejat. Tirana ka vetëm 9 institucione të reja arsimore, pra shembin një shkollë dhe aty ngrenë një të re. Kemi Astirin me 70 mijë banorë që nuk ka asnjë shkollë, asnjë çerdhe dhe asnjë shkollë.

Hodaj: Kur nuk vini nëpër mbledhje nuk dini as vendimet që miratohen. Këta thonë të ulim taksat, do kemi më pak të ardhura, do të kemi më pak investime. Po si thoni nuk ka shkolla e kopshte të reja në Tiranë.

Zhulali: Tirana jo vetëm përmbytet, por qytetarëve i shkojnë në shtëpi jo vetëm uji i shiut, por edhe gjithë jashtëqitja e qytetit. Pas 9 viteve që është Erion Veliaj, nuk funksionon impianti i ujrave të zeza. Qytetarët e Tiranës duhet të lutem mos bjeri shi. Jo vetëm uji i Lanës del nga shtrati, por në shtëpi i shkojnë edhe ujrat e zeza.

Hodaj: Asnjë qytet nuk i shpëton dot 10 minuta të përmbytjeve që bien nëse reshjet që bien janë më të larta se ato që parashikohen. Mos thoni që Tirana përmbytet, pasi shyqyr zotit kanalizimet funksionojnë. Pse thua gjëra të pavërteta, kur ka dalë lumi i Lanës nga shtrati. Kanalizimet nuk janë parashikuar për raste të jashtëzakonshme, nëse bien reshje më shumë se çdo parashikim, gjithsesi edhe kjo zgjat 10 apo 15 minuta, në ndonjë segment të caktuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb