Ukraina njoftoi të premten se po heton vdekjen e gazetares ukrainase Viktoria Roshchyna e cila ishte në burg në Rusi prej më shumë se 1 viti.

28 vjeçarja u zhduk në gusht të vitit 2023 pas një udhëtimi pune në zonat e pushtuara në lindje të Ukrainës dhe Rusia pranoi prillin e kaluar se po e mbante të burgosur.

Avokati i Ukrainës për të Drejtat e Njeriut Dmytro Lubinets konfirmoi të enjten vonë vdekjen e gazetares në atë që e cilësoi burgosje të paligjshme. Ai nuk dha më shumë hollësi.

Andriy Yusov, zëdhënës i shërbimit të zbulimit ushtarak ukrainas tha për radiotelevionin publik Suspilne se gazetarja Roshchyna kishte qenë në listën e shkëmbimit të të burgosurve dhe se “ishte bërë gjithçka e nevojshme” për ta arritur një gjë të tillë.

Ai tha se pritej që gazetarja të transferohej në Moskë nga qyteti jugor Taganrog.

Organizata “Reporterët pa Kufij” tha se Viktoria Roshchyna kishte vdekur në 19 shtator, duke cituar një letër që familja e së ndjerës kishte marrë të enjten nga ministria e Mbrojtjes së Rusisë.

Zyra e Prokurorisë së Përgjitshme të Ukrainës tha se ka zgjeruar objektin e hetimit për zhdukjen e gazetares, duke përfshire dyshimet për vrasje.

Deri më tani Rusia nuk ka bërë një deklaratë publike lidhur me vdekjen e gazetares.

Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga Zëri i Amerikës të enjten.

Gazetarja Viktoria Roshchyna kishte punuar për një sërë mediash, përfshirë gazetën “Ukrainska Pravda” dhe Radion Evropa e Lirë.

Stephen Capus, president i Radios Evropa e Lirë tha se ishte i tronditur nga lajmi.

“Burgimi i saj i paligjshëm dhe vdekja tragjike nënvizojnë çmimin e lartë që paguajnë gazetarët për raportimin e së vërtetës rreth luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Ne duhet të nderojmë trashëgiminë e saj duke mbajtur përgjegjës ata që e burgosën”, tha zoti Capus në një deklaratë.

Një sërë organizatash mediatike reaguan për vdekjen e saj dhe shprehën ngushëllime për familjen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: