Ish-presidenti Barack Obama foli me tone të zjarrta kundër kandidaturës së ish-presidentit Donald Trump dhe në favor të zëvendëspresidentes Kamala Harris të enjten (me kohën lokale) gjatë një tubimi në Universitetin e Pittsburghut, që synon të nxisë të rinjtë të marrin pjesë në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Harrisi ka kërkuar mbështetjen e votuesve me ngjyrë, por sipas një sondazhi në shtator, një në katër burra me ngjyrë nën 50 vjeç kanë thënë se do ta mbështesin Trumpin.

Obama, presidenti i parë me ngjyrë i vendit, ka thënë se seksizmi është arsyeja pse hezitimi “duket të jetë më i theksuar me vëllezërit tanë” për ta votuar Harrisin.

“Kam një problem me këtë. Për shkak se një pjesë e tyre më bën të mendoj – dhe po flas me burrat drejtpërdrejt – një pjesë e tyre më bën të mendoj se, mirë, thjesht nuk po e ndieni idenë të keni një grua si presidente, dhe po dilni me alternativa të tjera dhe arsye të tjera për këtë”, ka thënë ai.

Dule folur për politikat e Harrisit, Obama shtoi se ajo ishte “dikush që u rrit si ju, ju njeh, shkoi në kolegj me ju, i kuptonte betejat, dhimbjen dhe gëzimin që vijnë nga ato përvoja”, ndërsa Trumpi “ka treguar vazhdimisht shpërfillje, jo vetëm për komunitetet, por edhe për ju si person”.

Obama, mandati i të cilit në Shtëpinë e Bardhë përfundoi në vitin 2017, vazhdon të gëzojë popullaritet në bazën e partisë së tij. Aktiviteti ku mori pjesë në Universitetin e Pittsburghut u mbajt ndërsa Harris bënte fushatë në Nevada dhe Arizona. Është i pari nga disa aktivitete që ish-presidenti planifikon të bëjë në shtetet e rëndësishme për betejën elektorale në javët e ardhshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: