Kryetari i partisë “Mundësia” dhe njëherazi deputet i Parlamentit të Shqipërisë, Agron Shehaj është vendosur përballë “makinës së të vërtetës” në studion e “Log.”.

Shehaj, i cili shkëputi marrëdhëniet me Partinë Demokratike, refuzoi mundësinë për t’u bashkuar me këtë forcë politike në një pozicion drejtues, duke thënë: “Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë!”

Në përgjigje të akuzave se kishte paguar Lulzim Bashën për një vend në listën e Vlorës në vitin 2017, Shehaj u shpreh se nuk kishte kuptim të komentonte “gojët e liga.”

Ai gjithashtu mohoi se kishte ikur nga PD për shkak të presionit të Ramës mbi bizneset e tij, duke theksuar se betejat e tij në Parlament flisnin më shumë se sa fjalët.

Kur u pyet se si do të vepronte në rast se partia e tij do të duhej të përcaktonte formimin e qeverisë së re, dhe amerikanët do t’i kërkonin të mos bënte aleancë me PD-në, Shehaj u shpreh qartë: “Nuk e shkrij kurrë Mundësinë për PD. Nuk vendoset aty për aty në bazë të ofertave.”

Shehaj, në përfundim, shprehu mendimin se Lulzim Basha i takon të kaluarës dhe se Sali Berisha ka shumë të meta si çdo njeri tjetër. Megjithatë, ai theksoi se ishte larguar nga PD për të mos dhënë më përgjigje mbi këtë forcë politike, duke theksuar se nuk ishte detyra e tij të sugjeronte një drejtues të përshtatshëm për PD-në.

Intervista:

Pyetje: Dy nga datat kryesore të jetës suaj lidhen me PD, keni lindur më 8 dhjetor dhe u rikthyet në Shqipëri në vitin 2005 që përkon me rikthimin e PD në pushtet. Duke marrë parasysh këtë, a do e shkrinit apo falnit partinë Mundësia për një pozicion drejtues në PD?

Shehaj: Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë!

Pyetje: Ju shiheshit si një kryetar potencial i PD për shkak të formimit tuaj, etj. Me krijimin eventual të një vakance në krye të PD dhe me krijimin e partisë Mundësia, a po shndërrohet Agron Shehaj në Ilir Metën e së djathtës, i cili me krjimin e LSI humbi shansin e drejtimit të PS në 2005?

Shehaj: Mundësia nuk ka lidhje me LSI-në. Nuk është ky qëllimi im, nuk ishte qëllimi im të merrja PD në drejtim.

Pyetje: Gojët e liga thonë se keni paguar Bashën për të qenë i pari në listën e Vlorës në vitin 2017. Sa kushton sot një mandat deputeti?

Shehaj: Do të komentoj gojët e liga? Të them çfarë mendojnë ato nuk do kishte kuptim.

Pyetje: Thonë se u larguat nga PD nga raprezalja e Ramës ndaj bizneseve tuaja. Sa vota u ka kërkuar Rama të merrni nga partia e doktorit?

Shehaj: U tremba unë nga Rama? Mjafton të shihni betejat e fundit në Parlament se kush i ka bërë.

Pyetje: nëse partia juaj do të përcaktonte formimin e qeverisë së re si LSI dhe amerikanët do ju thonin të mos bëni aleancë me doktorin, do i jepnit mandatin e katërt Ramës?

Shehaj: Nuk e shkrij kurrë Mundësinë për PD. Nuk ka mundësi të jap një deputet, por as dorën. Nuk vendoset aty për aty në bazë të ofertave.

Pyetje: Po me PD do pranonit koalicion pavarësisht emrit të tyre për koalicion?

Shehaj: Jo.

Pyetje: Mund të më thoni një cilësi të Lulzim Bashës?

Shehaj: I takon të kaluarës tani.

Pyetje: Një të metë të Sali Berishës?

Shehaj: Si çdo njeri ka dhe ai shumë të meta.

Pyetje: Ju e përjashtoni kryesimin e PD, mund të thoni një drejtues të përshtatshëm për PD?

Shehaj: Kam dalë nga PD që të mos jap përgjigje më për PD.  Nuk më takon mua.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb