Skandal i kompanisë shqiptare të fluturimit ajror “Air Albania”. Avioni i linjës Milano-Tiranë ka braktisur pasagjerët në aeroportin e Malpensës. Pasi i ka lënë për orë të tëra në pritje për t’u nisur në drejtim të Rinasit, në fund udhëtarët janë njoftuar se fluturimi është anuluar. Pas rreth 9 orë pritje në aeroport, pasagjerët shqiptarë e kanë parë veten në mëshirë të fatit.

BalkanWeb mëson se nisja e fluturimit ishte parashikuar për në orën 16.50, por pa asnjë shpjegim është shtyrë për në orën 20.30. Edhe pse pasagjerët janë imbarkuar në bordin e avionit, ata janë lënë të presin edhe 2 orë të tjera në avion, ndërsa askush nuk i ka sqaruar apo dhënë shpjegime mbi arsyet e vonesës. Pasi kanë qëndruar më shumë se 120 minuta të bllokuar në bordin avionit, ata janë detyruar të zbresin, siç thonë pasagjerët, edhe forcërisht me ndërhyjen e policisë italiane.

Pasagjerët kanë kontaktuar me redaksinë e BalkanWeb ku kanë shprehur shqetësimin se si “Air Albania” i kishte lënë në aeroportin e Milanos dhe kompania nuk denjonte as t’u përgjigjej. Ata denoncojnë kompaninë për arrogancë dhe shpërfillje. Asnjë shpjegim nuk u është dhënë pasagjerëve për motivet e anulimit të fluturimit por po ashtu Air Albania nuk mban përgjegjësi as se ku do të kalojnë natën qytetarët.

Aaf1e90f 5109 4310 A628 2eb802e07c84
Aaf1e90f 5109 4310 A628 2eb802e07c84

Pasagjeri për BalkanWeb: 

Një nga pasagjerët, Sefedin Matraçi i cili mbrëmjen e sotme do të udhëtonte me “Air Albania” në drejtim të Tiranës, nga aeroporti i Milanos, ka rrëfyer për BalkanWeb se si kompania ajrore shqiptare i braktisi ata në Malpensa. Ai rrëfen se udhëtimi do të bëhej me avionin e Air Albania, por në fakt në pistë kanë gjetur një mjet ajror të Turkish Airlines i cili megjithatë nuk u ngrit kurrë të fluturonte nga pista e Malpensës.

Sefedin Matraçi, pasagjer: 

“Avioni duhej të nisej në orën 16.50. Kemi që në orën 14.00 këtu. Kur kemi mbërritur në aeroport nuk ishte hapur check-ini dhe askush nuk na përgjigjej. Pasi kemi qëndruar për orë të tëra në pritje, na thonë se do nisemi në orën 20.30. Por do niseshim jo me avionin e Air Albania, por me Turkish Airlines. Pasi kemi kalur në check-in, jemi futur në avion dhe na kanë lënë në pritje për më shumë se 2 orë. Piloti dhe stafi i avionit na thonin se nuk kishin leje nga kulla e kontrollit për t’u nisur. Kemi telefonuar sërish kompaninë dhe tha thanë që avioni nga Tirana nuk ka mbërritur pasi kishte turbulenca.

Por na gënjyen sepse punonjësit e aeroportit na njoftuan se kompania “Air Albania” nuk kishte paguar taksat aeroportuale. Dhe deri në datën 18 tetor nuk do të ketë fluturime në aeroportet e Italisë.

Kam 21 vjet që udhëtoj dhe s’më ka ndodhur asnjëherë. Këtu ka fëmijë, ka të moshuar. Jemi 50-60 pasagjerë.

Pasagjeret Ne Autobus
Pasagjeret Ne Autobus

Pasagjeri Romeo Gjergji: Kemi që në orën 2 që presim këtu. Jam i sëmurë, me diabet, me zemër. Askush nuk merr asgjë përsipër. Ne po qëndrojmë në aeroport. Nuk na sqaron njeri. Na sollën policinë në avion sikur të ishim kriminelë.

Pasagjerja: Ju lutem na bëni dërman, ka fëmijë që janë nga 8 muajsh këtu. Kemi ngelur jashtë, na jepni zgjidhje ju lutem, jemi shumë të lodhur.

***

Kompania ajrore “Air Albania” është në pronësi të qeverisë shqiptare dhe me aksioner kryesore biznesmenin Sinan Idrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb