Disfata në Pragë ishte një tjetër “kambanë alarmi”, një humbje e hidhur, me kuqezinjtë që u dorëzuan pa kushte përballë superioritet fizik të rivalëve. Çekët e kishin përgatitur deri në detajin më të vogël këtë takim, ishin të motivuar në maksimum duke zhvilluar një presion asfiksues që në start. Goli i shpejtë i Chory i dha luksin ta administronin si duhet këtë takim duke mos e vendosur fitoren për asnjë moment në dyshim.

I kushtëzuar nga disa mungesa, Sylvinho hodhi në fushë atë formacion që të gjithë prisnin me dyshen Ismajli-Kumbulla në qendër, por Chory e kishte të lehtë të vepronte mes tyre, goli i tij i dytë me kokë vërtetoi se Gjimshiti është thjesht i pazëvendësueshëm. Nuk bëmë më mirë as në fazën sulmuese, vetëm dy gjuajtje në kuadrat, por dhe këto erdhën pasi ndeshja ishte e mbyllur.  E kishim të vështirë të mbanim topin në këmbë, të bënim më shumë se dy pasime, vetëm 39% mbajtja e topit.

Ndaj Çekisë ishte humbja e dytë në tre ndeshje në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Ndryshe nga se pritej, ku të gjithë shpresonin se pas një Evropiani me rival “big”, Shqipëria do të ishte më e pjekur, ekipi i Sylvinho-s ka pësuar vetëm regres.

Në 3 ndeshje post “Euro2024” kemi pësuar 2 humbje në 3 ndeshje, 2 gola të shënuar 4 të pësuar. Ndaj Gjeorgjisë të hënën është një tjetër provë e fortë, një ndeshje ku sërish jemi të dënuar për të mos humbur, në të kundërt jemi jashtë Ligës së Kombeve.

Kjo ecuri është si një “dejavu” e post “Euro2016”, ku pas kualifikimit të parë historik në një Evropian, Shqipëria pësoi një rënie të menjëhershme duke bërë që De Biasi të largohej.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: