Në nisje të edicionit të tretë të Programit të Ekipeve Sportive në Shkolla, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se, ky program është shumë i rëndësishëm për nxitjen e aktivitetit fizik dhe sportiv në shkollat tona.

“Jemi të gjithë sëbashku për të promovuar Lëvizjen Sportive në Shkolla. Suskese më shumë se 820 ekipe sportive që marrin pjesë, dhe 176 ekipe nga moshat 9-10 vjeç. Ministria e Arsimit dhe Sportit është tërësisht e angazhuar për të vazhduar mbështetjen e këtij programi, i cili hyn në vitin e tij të tretë të zbatimit.”, tha Ministrja Manastirliu në ceremoninë e hapjes së edicionit të 3-të të programit “Ekipet Sportive në Shkolla”, organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Ministrja Ogerta Manastirliu, shprehu mirënjohje të veçantë për kontributin e mësuesve dhe trajnerëve, të cilët luajnë një rol thelbësor në edukimin e fëmijëve përmes sportit.

“Një falënderim të përzemërt dua t’u jap mësuesve tanë të edukimit fizik, dhe të gjithë trajnerëve që angazhohen me kaq shumë pasion me këta fëmijë. Kjo nismë ka sjellë një frymë të re në aktivizimin sportiv dhe lëvizjen sportive në shkolla. Duke angazhuar fëmijët, bëjmë të mundur jo vetëm t’i largojmë ata nga fenomenet e dëmshme, por gjithashtu të rrisim të rinj të shëndetshëm.”, tha Ministrja Manastirliu.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes qeverisë shqiptare dhe Komitetit Olimpik.

“Ky është një nga eventet më të mëdha që organizohet në Shqipëri, ku janë përfshirë 11 mijë nxënës. Kjo nismë realizohet në bashkëpunim me Federatat e Volejbollit dhe Basketbollit, Drejtoritë Arsimore dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.”, tha Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli.

Programi “Ekipet Sportive në Shkolla” ka nxitur zhvillimin e kulturës sportive dhe përfshirjen e më shumë nxënësve në aktivitetet fizike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb