Egnatia e këtij sezoni mbetet favorite për titullin, por deri më tani nuk ka treguar forcën e ekipit të vjetshëm, që e vrau garën për kreun që në muajt e parë dhe e shndërroi fazën e fundit në një formalitet.

Këtë sezon skuadra e Edlir Tetovës mbetet favorite për titullin, por për shkak të largimeve duket se janë zvogëluar diferencat me rivalët. Rrogozhinasve me atë që kanë treguar në këto tetë javë të para duket se do t’u duhet të luftojë deri në fund për katërshen.

SULMI – Problemi më i madh duket se është në ofensivë. Largimet e Fernandos dhe Ibrahimoglu kanë shkaktuar probleme në ndërtimin e lojës dhe krijimin e rasteve të shënimit. Afrimet e Ujkës dhe Lushkjes deri më tani nuk kanë treguar impaktin e brazilianit dhe turkut. Ndoshta në javët në vijim dy prurjet e verës mund të kenë një impakt akoma më të madh në skuadër. As Zejnullai nuk duket në nivelin e vjetshëm, teksa edhe krahët nuk funksionojnë si vjet. Kasa ka vuajtur problemet fizike dhe nuk e ka mbuluar hapësirën e lënë bosh nga Spahiu. Në anën tjetër Ndreca duket se i ka limituar dëmet me daljet e tij drejt sulmit, megjithëse Zhoel ka çaluar.

NUMRAT – Vjet pas tetë javësh Egnatia renditej e para me 16 pikë, me mesatare dy pikë për ndeshje. Skuadra e Tetovës në këtë edicion numëron dy pikë më pak dhe renditet e dyta me 14 pikë, sa Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo. Por diferenca më e madhe është te golat e shënuar. Vjet kampionët shënonin 16 gola në tetë javë, plot 5 më shumë se sivjet. Shifrat në mbrojtje janë të njëjta, shtatë të pësuar. Edhe shifrat tregojnë se është pikërisht sulmi aty ky rrogozhinasit kanë humbur më shumë për shkak të lëvizjeve të shumta të merkatos. Gjithsesi, është fakt që kampionët në fuqi janë ndër skuadrat më të mira dhe të vetmit që kanë ruajtur të njëjtën filozofi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb