Deputetët Arbi Agalliu dhe Dashnor Sula debatuan në studion e News24 lidhur me formimin e partisë së re “Djathtas”. Një grup deputetësh dhe pjesë të strukturave, të larguar nga PD, janë nismëtarët e kësaj force politike. Në rubrikën “Opinion” me Ola Brukon, Agalliu tha se “kalimi i vulës së PD te Sali Berisha ishte momenti i ndarjes”. Sipas tij, të djathtës i duhet një lidership dhe frymë e re. Ai ironizoi edhe Lulzim Bashën të cilin e quajti deputet të grupit parlamentar të Berishës.

Shërbim ndaj pushtetit është të bashkosh votat për të bërë amnistinë për të liruar ata të cilët janë hetuar nga SPAK dhe dënuar nga GJKKO. Nuk flas për zotin Sula se ka votuar kundër. Të bashkosh votat për një reformë zgjedhore që e mbyll sistemin. Lulzim Basha sot është pjesë e grupit parlamentar të Sali Berishës. Zoti Basha vendosi të qëndrojë në grupin parlamentar me drejtues atë që nuk e pranoi në shtator 2021. Sot qëndron dhe e pranon si kryetar. Pse nuk shkëputesh? Sepse zoti Berisha mori logon dhe vulën“, tha Agalliu.

Nga ana tjetër, Sula është i mendimit se partia e re e sapokrijuar është oksigjen për PS-në dhe kryeministrin Edi Rama në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ai tha se “rreth kësaj force politike janë mbledhur të zemëruarit me Berishën dhe PD-në”. “Kjo s’do të thotë se unë tani për inat të sime vjehrre të fle me mullixhun. Alibeaj i ka shërbyer Sali Berishës si ministër, ka marrë benefite. S’kam marrë unë benefite. Atyre u ka ngëlur hatri dhe janë prishur, prandaj dalin kundër. Unë do vazhdoj të bëj luftë brenda PD por jo të zihem brenda dhe të iki“, tha Sula.

Pjesë nga debati

Ola Bruko: Ke kërkuar ndryshim lidershipi në PD, zoti Sula..

Dashnor Sula: Mbaroi koha, nuk ia dolëm. Zoti Alibeaj donte të rikthente Bashën duke tentuar të diskredituar Sali Berishën në zgjedhjet e 14 majit. U nxorën kandidatë atëherë, ka patur debat në mbledhjen e Kryesisë.

Arbi Agalliu: Unë dhe një pjesë e kolegëve mbajtëm një qëndrim. Logo dhe vula shkoi te Sali Berisha me vendimin Zhukri dhe më pas u kthye aty. Unë kam qëndruar për disa parime.

Dashnor Sula: Doni të rrëzojmë të majtën? Apo t’i japim oksigjen PS-së? Miku im, kundërshtari ynë politik është Rama dhe PS, nuk janë kolegët tanë. Ju nuk fitoni dot asnjë mandat, as 10 mijë vota nuk i merrni, i bëjnë oksigjen PS-së. Gabim i madh shumë, shërbim i pushtetit.

Arbi Agalliu: Shërbim ndaj pushtetit është të bashkosh votat për të bërë amnistinë për të liruar ata të cilët janë hetuar nga SPAK dhe dënuar nga GJKKO. Nuk flas për zotin Sula se ka votuar kundër. Të bashkosh votat për një reformë zgjedhore që e mbyll sistemin, sërish zoti Sula ka qenë kundër. Kjo parti në opozitë qenka partia që bashkon votat me këtë mazhorancë për të forcuar sistemin…

Dashnor Sula: Kjo s’do të thotë se unë tani për inat të sime vjehrre të fle me mullixhun. Alibeaj i ka shërbyer Sali Berishës si ministër, ka marrë benefite. S’kam marrë unë benefite. Atyre u ka ngëlur hatri dhe janë prishur, prandaj dalin kundër. Unë do vazhdoj të bëj luftë brenda PD por jo të zihem brenda dhe të iki.

Arbi Agalliu: Sali Berisha ka në shpinën e tij një non grata, probleme me drejtësinë, nuk mendoj se është alternativa e opozitës në 2025. Pse u dashka që ky grupm të mos e shfaqë alternativën? Lidershipi është i vjetër dhe me probleme me drejtësinë. Duhet ndryshim, duhet alternativë. Lulzim Basha sot është pjesë e grupit parlamentar të Sali Berishës. Zoti Basha vendosi të qëndrojë në grupin parlamentar me drejtues atë që nuk e pranoi në shtator 2021. Sot qëndron dhe e pranon si kryetar. Pse nuk shkëputesh? Sepse zoti Berisha mori logon dhe vulën.

Ola Bruko: Ndoshta pret të krijojë një parti të re…

Arbi Agalliu: Kushdo që e kupton se ajo rrugë nuk ka krye. Shumica e atyre që janë sot në PD thonë e dimë por s’kemi çfarë bëjmë.

Ola Bruko: Zoti Sula ju e dini që nuk do prodhojë gjë qëndrimi juaj në këto zgjedhje por jeni aty? E dini që s’keni ça të bëni prandaj rrini aty?

Dashnor Sula: Jo, nuk është e vërtetë. Jam i djathtë, opozitar, do luftoj në PD. Kundërshtari im politik është PS, mazhoranca, Rama. Këto që dalin nga nëna, nga PD, Agalliu, Alibeaj, Açka, Jakupllari as unë, nuk ka ardhur në parlament me votat e nënës, babës, motrës, vëllait por me votat e PD. Të dalin dhe të bëjnë një protestë kundër regjimit, kundër PS-së, kundër Ramës, nuk kanë marrë pjesë në protesta.

Arbi Agalliu: Kush është opozitar o Dash?

Dashnor Sula: Unë jam opozitar. Sali Berishën nuk kam dalë ta shaj as personalisht, as familjarisht.

Arbi Agalliu: E ka sharë Gaz Bardhi, kryetari jot i grupit parlamentar.

Dashnor Sula: Flas për veten. Po del dhe po gjuan me grusht “familjen” tënde. Pse dolët ju tani 6 muaj para zgjedhjeve? Pas zgjedhje, po. Edi Rama do lëvizë çdo gur në 2025. Kjo është oksigjen ndaj PS-së dhe Edi Ramës. Unë do luftoj brenda opozitës që PD të luftojë për të ardhur në pushtet. Po tradhtoni opozitën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb