Kryeministri i Kosovës Albin Kurti me anë të një postimi në rrjetet sociale ka publikuar fotografi, për të cilat shprehet se janë trupat serbe rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në Kamenicë.

Kurti thotë se ushtria serbe po provokon sërish dhe se ushtria e Serbisë ka për qëllim të nxisë tensione. Kreu i qeverisë së Prishtinës shkruan se Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situatës.

Postimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti:

Serbia sot ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës.

Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve.

Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë.

Sinergjia ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi me partnerët e aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë në Kosovë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës.

Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente 24/7, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situatës.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb