Një aksident i rëndë ka ndodhur në Bavari ku një fëmijë 7-vjeçar, i cili udhëtonte me babain dhe vëllain e tij, humbi jetën pas një përplasjeje të fortë të një makine të vogël me një kamion që kishte ndaluar në një kthesë, për shkak të një avarie.
Aksidenti, sipas mediave gjermane, ka ndodhur në autostradën A70. Drejtuesi i makinës së vogël, një 45-vjeçar, ishte me dy djemtë e tij 7 dhe 12 vjeç, kur ndodhi përplasja.
Mbeten ende të paqarta shkaqet e aksidentit, ndërsa nga të dhënat e para mësohet se 7-vjeçari ndodhej në sediljen e pasme të automjetit në momentin e përplasjes.
Një helikopter shpëtimi e çoi djalin në spital, ku vdiq aty nga plagët e marra. Sipas informacioneve, fëmija tjetër, 12 vjeç ishte jashtë rrezikut për jetën.
Vetë babai mbeti pothuajse i padëmtuar. As shoferit të kamionit nuk i ka ndodhur asgjë. Autostrada është dashur të mbyllet për disa orë në drejtim të Bayreuth për shkak të aksidentit.