Gjykata e Elbasanit caktoi masën e arrestit me burg për 59-vjeçarin A.K, i cili u arrestua nga policia për veprën penale të “vrasjes me dashje”, të mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 78-22 të Kodit Penal.
Gjyqtari Ardit Kuka në përfundim të gjykimit vendosi të konsiderojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim A.K., i arrestuar nga policia gjyqësore, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, të mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 78-22 të Kodit Penal.
Sipas gazetarit të Neës24 Fatmir Popja, 59-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Mesnata”, pas plagosjes me thikë të një 26-vjeçari. Kyi fundit shkoi në spital për të marrë ndihmën mjekësore, por mjeku i rojes, pasi e mjekoi nuk shkruajti në kartelën mjekësore ngjarjen, çka çoi në pranga edhe mjekun me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
“Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve të shpejta operacionale dhe inteligjencës policore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesnata”, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar shtetasit A. K., 59 vjeç, banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi A. K., mesnatën e djeshme, në lagjen “Haxhias”, në gjendje të dehur, ka tentuar të vrasë me mjet të mprehtë (thikë) shtetasin D. B., 26 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore.
Po nga veprimet hetimore ka rezultuar se mjeku i rojes, në spitalin ku ka marr mjekim 26-vjeçari, nuk ka shënuar në kartelën mjekësore asnjë informacion mbi mjekimet e dhëna të pacientit. Për këtë arsye Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij.
Urdhër ndalimi i Prokurorisë është ekzekutuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, të cilët kanë ndaluar mjekun roje në spitalin ku ka marrë mjekim 26-vjeçari, shtetasin K. D., 32 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhej në njoftimin zyrtar të Policisë.