Ndryshimet klimaterike, me temperatura të larta dhe me lagështira, kanë shtuar viruset tek fëmijët.
Të prekur nga virozat janë fëmijë të të gjitha moshave dhe vizitat në Repartin e Peditrisë në Spitalin Rajonal Berat arrijnë nga 60-80 çdo ditë, ndërkohë që edhe shtrimet në spital janë shtuar. Shefi i Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal Berat, mjeku pediatër Vladimir Kumaraku ka pohuar se ndryshimet e temperaturave kanë sjellë efektet e tyre negative në shëndetin e fëmijëve. Sipas tij, situata virale ka qenë e ngarkuar, ku karakteristike e rasteve të paraqitura kanë qenë temperaturat e larta dhe problemet në rrugët e sipërme respiratore.
Mjeku pediatër pohon se numri i vizitave ka arritur në 60-80 vizita çdo ditë dhe se shtrimet në spital janë shtuar.
“Gjatë kësaj periudhe, duke pasur parasysh edhe kapriçot e motit, me temperatura të larta dhe me lagështira, kemi pasur zhvillime të virozave që janë reflektuar në numrin e madh të vizitave dhe shtrimeve në spital, ku kanë dominuar më shumë infeksionet e rrugëve të sipërme respiratore, laringitet, bronkiolitet, bronko pneumonitë dhe infeksionet virale të shoqëruara me të vjella. Çdo ditë në Repartin e Pediatrisë janë paraqitur nga 60-80 vizita dhe fatmirësisht nuk kemi pasur komplikacione të rënda”-, ka thënë Kumaraku.
Duke folur për virozat me temperatura të larta, mjeku Kumaraku, i ka këshilluar prindërit të shmangin qëndrimet në vendet e grumbulluara dhe të mos i çojnë fëmijët në çerdhe, kopshte apo shkolla në qoftë se ata kanë temperaturë, në mënyrë që të mbrojnë edhe fëmijët e tjerë. Kumaraku deklaron se prindërit duhet të tregojnë kujdes në rastet kur fëmijët kanë temperaturë të vazhdueshme dhe këshillon që për uljen e saj të përdoret paracetamol në kombinacion me ibuprofenin, 10 miligram për kilogram peshë. Mjeku Kunaraku ka pohuar se problematikat më të mëdha janë në rastet kur fëmijët janë nën 6 muajsh dhe kur temperatura u shoqëroret me ftohje, pasi kanë rrezik për ngacmim të trurit ose siç njihen në gjuhën mjekësore konvulsione febrile.