Një ditë të acartë në dimrin e vitit ’90, para portës së një shtëpie në një lagje në periferi të Moskës, Elena Pavllo qëndronte si e ngrirë. Priste me trishtim e frikë t’i shfaqej dikush. Disa çaste pas trokitjes u hap ngadalë porta dhe u shfaq nëna plakë. Për pak çaste u panë sy më sy duke qëndruar si të ngrira, pa fjalë. Një britmë e mbytur doli nga buzët e nënës: “Obobo, sa e plakur vajza ime!” Ishte një britmë që përmblidhte mallin e dhimbjen e një nëne që shihte bijën e saj pas 35 vitesh, një britmë për vuajtjet e një jete rrënuar nga tirania. Nuk ishtë më ajo vajza e gjallë dhe plot dritë, tashmë Elena iu shfaq nënës si një grua e plakur dhe e lodhur. Fytyra e Elenës, ishte tani e shenjuar nga rrudhat e thella të historisë së një persekutimi të egër.

35 vjet më herët, Elena Pavllo kishte nisur rrugëtimin e jetës së saj drejt Shqipërisë, vendi prej nga vinte Minella Çami, dashuria e jetës së saj. Elena ishte studente në Inxhinierinë e Naftës në Moskë në vitin 1953 kur u dashurua me Minella Çamin, një student shqiptar që gjithashtu studionte në të njëjtin universitet. Në një qytet që shënonte fillimet e karrierës së tyre si inxhinierë nafte, kurorëzuan dashurinë me një martesë të thjeshtë dhe plot emocion. Kur u zhvendosën në Shqipëri në vitin 1956, Minella i kishte premtuar Elenës një jetë të lumtur. Elena erdhi me dëshirë e ëndrra se do të jetonte dashurinë e saj në tokat e ngrohta të Shqipërisë, ku familja e Minellës e priti si një bijë, por nuk do të ishte si në ëndrrat që kishin ndërtuar. Jeta e tyre do të merrte rrjedhë të vështirë në sfondin e një regjimi që shpejt do të ndalte çdo bashkëpunim me Bashkimin Sovjetik e do të dënonte të gjithë ata që kishin lidhje me Rusinë. Elena, si shumë gra të tjera ruse, u gjend nën hijen e survejimit dhe persekutimit të pamëshirshëm të Sigurimit të Shtetit. Akuzat ndaj saj ishin për agjitacion e propagandë dhe si agjente ruse. Elena përfundoi në burg. Më herët, ishte arrestuar e dënuar me dhjetë vjet burg bashkëshorti i saj, Minella Çami. Elena e kujton me shumë dhimbje momentin e arrestimit dhe lotët e të birit.

“Kur më vunë prangat mua në duar, ishim në shtëpi brenda: djali, unë dhe dy hetuesit. Për fat të keq, e kemi këtu në Korçë, tani është me pozitë të madhe. Kur më vunë prangat, nuk më harrohet ajo skena… djali u përmbys në divan edhe qante. Dhe mes të qarave thërriste: “Mama, ku po shkon ti?”. Më dërguan në hetuesi në Tiranë…”

Rrëfimi i Elena Çamit është një ndër intervistat e vyera që gjendet në arkivën e Kujto.al, si kontribut i Fatbardh Dokos. Në këtë intervistë, Elena rrëfen momentet më të vështira të jetës së saj dhe familjes.

“Unë kam lindur në Moskë, në vitin 1932. Mbarova gjimnazin, pastaj shkova në universitet për përpunimin e naftës në Moskë. Në vitin 1955, mbarova universitetin edhe erdha në Shqipëri. Gjatë studimeve, u njoha me Minellën dhe u martova në Moskë, në vitin 1954. Ai ka ikur më përpara, unë kam ikur më vonë, se bëri dokumentet. Erdha këtu, fillova punën në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës, në vitin 1955. Kur kam filluar punë, kemi qenë deri në vitin ‘60, në Qytetin Stalin, pastaj u trasferuam ne, për të ndihmuar në ndërtimin e Cërrikut, bashkë me Minellën. Nga viti ‘60 deri në ’71-shin, kemi qenë në Cërrik, duke punuar me forcat tona që kemi studiuar. Në vitin ’71, Minella u arrestua për agjitacion e propagandë. Përpara se të arrestohej, një javë më përpara, ishte bërë një propozim në Ministri për çmimin “Republikë”, por nuk ia dhanë çmimin “Republikë”, i dhanë “çmimin” tjetër: në burg. Ai u arrestua për agjitacion e propagandë, me 10 vjet burg. Në vitin 1975, kur u arrestua grupi i naftës në Fier, po meqënëse jemi naftëtarë, ai nga Ballshi, nga kampi, e arrestuan për të dytën herë. E çuan në Tiranë. Në Tiranë e akuzuan për “sabotim dhe spiun rus”. Ai nuk pranonte akuzën edhe i thanë: “Nëse nuk pranon akuzën, ne do të arrestojmë Lenën (mua). Ajo patjetër që do thotë atë që keni bërë ju”. Ai nuk pranonte. Pas dy javësh, pa bërë hetuesi, në 14 maj 1975, më arrestojnë mua”, rrëfen Elena.

Ndër momentet më të vështira do të mbetet jeta e dy djemve të saj të mbetur vetëm pas burgosjes së dy prindërve.

“Dy djemtë e mi kanë vuajtur. Kur mbetën ata të dy, shyqyr Zotit, i ka përkrahur familja e Minellës, babai dhe mamaja. Djali i madh mbeti pa punë, se në Cërrik nuk jetonte dot. Kur u arrestova unë, ai pas një viti, ka vajtur në ushtri, në Fier dhe Vlorë. Ka vuajtur shumë. E kanë ndjekur hap pas hapi, çfarë bënte, çfarë fliste. Kur mbaroi ushtrinë, nuk u kthye në Cërrik. Të gjithë plaçkat i futi në një dhomë. Nuk kishte ku të jetonte edhe ka shkuar te prindërit e Minellës, te gjyshërit. Djali i vogël mbaroi gjimnazin edhe kur kërkonte punë, nuk i jepnin punë. “Po të duash,- i kishin thënë,-puno në ndërtim”. Ky pranoi, se pa bukë nuk jetohej dot. Shkon në ndërtim në brigadën me llaç.

Elena Çami
Elena Çami

Atje, siç thonë, Zoti nuk të lë pa njeri të mirë, ishte Edi Kapshtica, i cili kishte mbaruar gjimnazin bashkë me Minellën. Ka bërë edhe burg. Kur shikon djalin, i thotë: -Nga je ti? I thotë: -Unë kam lindur në Korçë, por kam jetuar në Cërrik. -Po i kujt je ti? -I Minella Çamit. Edhe ky shkon i thotë drejtorit: -Ose ma vendos mua këtë djalin në brigadën time, ose unë do ta lë çelësin. Unë këtë djalin në baltë, nuk do ta lë. Drejtori tha, meqë Edi ishte specialist i mirë, i tha: -Merre në brigadë… Edhe ky ka punuar në brigadë me Edin 17 vjet.

Djali tjetër… në ‘76-‘77 ishte prodhimi shumë i lartë në fermën e Drenovës dhe ky shkon si vullnetar pa para. Kur punonte atje, punonte me gjithë shpirt. Një brigadier i tha: -Do të punosh në fermë? – Posi, tha. Hyri në fermë, edhe atje ka punuar 14 vjet”,- rrëfen Elena. Pasi përfunduan dënimin Elena dhe Minella, familja u bashkua, por vuajtjet vazhduan si një këngë e trishtë që përsëritet në sfondin e ditëve të ashpra.

Kur po rrëzohej diktatura komuniste, në dhjetor të vitit 1990, Elena Pavllo Çami u nis drejt Moskës dhe gjeti atje nënën e saj, ndërsa babai kishtë ndërruar jetë. Takimi i përmallshëm dhe trishtues me nënën do t’i mbetej gjithmonë në kujtesë Elenës. Ky rikthim në shtëpi nuk ishte triumf, por një kujtesë e thellë e plagëve që nuk do të mbylleshin kurrë. Në atë portë të ftohtë ruse, ku dimri dukej se nuk do të sosej kurrë, nënë e bijë u përqafuan sërish, të lidhura nga dashuria dhe nga vuajtjet e përbashkëta të një jete të shkatërruar./ kujto.al

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb