Katër ushtarë janë vrarë dhe 58 janë plagosur në një sulm me dron që synonte një bazë ushtarake në veri të Izraelit, tha Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
IDF shtoi se shtatë ushtarë ishin plagosur rëndë në sulmin në një bazë “në afërsi të Binyamina” – një qytet rreth 20 milje (33 km) në jug të Haifës, shkruan BBC.
Hezbollahu ka marrë përgjegjësinë për sulmin, për të cilin tha se kishte në shënjestër një kamp trajnimi të Brigadës Golani të IDF-së në zonë, e cila është e vendosur midis Tel Avivit dhe Haifës.
Zyra e medias e grupit të armatosur tha se sulmi ishte në përgjigje të sulmeve izraelite në Libanin jugor dhe Bejrut të enjten.
Grupi tha se kishte shënjestruar kampin në Izraelin verior duke përdorur një “tufe dronësh”.
Sulmi ishte një nga më të mëdhenjtë në një pozicion izraelit në më shumë se një vit.
Shërbimi izraelit i ambulancës, Magen David Adom (MDA), tha më herët se 61 persona ishin plagosur në sulm – duke përfshirë tre në gjendje kritike. Ai shtoi se 37 prej tyre ishin dërguar në tetë spitale rajonale, ose me ambulancë ose helikopter.