Faza e dytë e vaksinimit ndaj poliomielitit ka nisur mëngjesin e sotëm në Rripin e Gazës, i cili është nën sulmet izraelite, transmeton Anadolu.
Në deklaratën nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thuhet se nga sot ka filluar faza e dytë e vaksinimit ndaj poliomielitit në rajonet në pjesën qendrore të Gazës.
Në deklaratë është publikuar një hartë e pikave ku do të bëhet vaksinimi ndaj poliomielitit në pjesën qendrore të Gazës.
Në deklaratën e saj për këtë çështje, Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) u bëri thirrje palëve të respektojnë pauzën humanitare në konfliktet në mënyrë që të shpërndajnë vaksina për të gjithë fëmijët.
Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi më 16 gusht se është zbuluar rasti i parë i poliomielitit në Rripin e Gazës.
Në Rripin e Gazës filloi fushata e vaksinimi ndaj poliomielitit që mbulon më shumë se 600 mijë fëmijë nën moshën 10-vjeçare në bashkëpunim me OBSH-në, Ministrinë palestineze të Shëndetësisë dhe UNRWA-në.
Faza e parë përfundoi më 16 shtator dhe u raportua se mbulimi i vaksinimit arriti në 90%.