Tirana nis kërkimet për të riparuar skuadrën dhe boshllëqet që ka organika. Drejtuesit kanë vlerësuar se grupit i nevojiten tre lojtarë.
Si fillim një qendërsulmues, i cili sulmon hapësirat dhe që shënon golat. Bajroviç dhe Zharmuni ende nuk janë në lartësinë që pritej. Po kështu, skuadra është në krizë për një lojtar pas sulmuesve. Një “dhjetësh”, që të dijë të japë topin. Tirana e kërkoi në verë si sulmuesin dhe mesfushorin sulmues, por nuk ia doli. Në këtë moment, “playmaker” po luan Jonuzi.
Po kështu, bardheblutë duan edhe një mesfushor shkatërrues. Në janar mund të largohen lojtarë me peshë në këtë repart dhe skuadrës i duhen plotësime. Për momentin nuk ka asgjë të re, por ekipi ka marrë disa oferta dhe në janar do të afrohen lojtarë që kanë peshë. Një nga emrat që mund të konsiderohet është Redon Xhixha.
LARGIMET – Po kështu, Tirana bën plane shitje lojtarësh në janar, gjithmonë nëse planet e saj shkojnë mirë. Disa janë futbollistët që në këtë moment janë në tregun e menaxherëve. Bëhet fjalë për Rimal Haxhiun, Ermal Metën, Ualid Zharmunin apo ndonjë tjetër. Lojtarët, mund të jetë shënjestra e mundshme e merkatos së janarit dhe kanë mundësi reale që të largohen nga Tirana, gjithmonë oferta e skuadrave të huaja është ajo që dhe kënaq ekipin bardheblu. Drejtori Ibraimi mund të bëjë disa transferime të rëndësishme në Slloveni apo shtete të tjera dhe këta janë dy lojtarët e piketuar pa harruar Abdullahun, Kozin apo Jakun.
SFIDAT – Tirana në këtë moment është në një udhëkryq serioz. Në tetë javë ka tetë pikë dhe tani derbin e dytë e ka si gur themeli për të ardhmen. Një humbje tjetër do të trondiste jo pak gjendjen te bardheblutë, por edhe do të nisnin dilemat e para për në një ndryshim në ekip. Është e qartë se Tirana në këtë moment është e qetë, por një tjetër rezultat “jo” do të komplikonte shumë situatën, pasi kundërshtarët mund të nisnin arratinë. Fakt është që Tirana luan tri ndeshje në shtëpi, ndaj Dinamos, Laçit dhe Vllaznisë.