Pogradec, 14 tetor– Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në shkollën 9-vjeçare “Myredin Bashalli” në Lin të Pogradecit, e cila ka ndryshuar tërësisht pamje falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Pogradec.
Gjatë vizitës, Ministrja Manastirliu tha se investimet në infrastrukturëm shkollore janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e procesit arsimor dhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.
“Jemi shumë të kënaqur që fëmijët tashmë jo vetëm kanë kushtet e duhura, por edhe mësuesit kanë mundësi të punojnë në kushte shumë më të mira. Kjo rrit cilësinë e mësimdhënies dhe na mundëson të ofrojmë kujdesin maksimal për çdo nxënës,” u shpreh Ministrja, Manastirliu.
Shkolla e rinovuar është kthyer tashmë dhe në një pikë referimi jo vetëm për nxënësit dhe stafin arsimor, por edhe për gjithë komunitetin e zonës.
Ministrja Manastirliu u ndal dhe te programi i MAS, “Shkolla, qendër komunitare”.
“Shkolla, qendër komunitare, është një program i yni, që falë investimit që kemi bërë në këtë shkollë edhe ajo është tashmë një hapësirë e hapur për të gjithë komunitetin, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, artistike, por edhe sportive.”, tha Manastirliu.
Në kuadër të këtij transformimi arsimor në Qarkun e Korçës, Ministrja tha se po realizohen investime në pesë shkolla të tjera, duke përfshirë Bashkinë Korçë, Bashkinë Maliq, dhe Bashkinë Pogradec, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe ofrimin e një mjedisi më të mirë për nxënësit dhe mësuesit.