Policia e Shtetit dhe partnerët britanikë kanë një angazhim të përbashkët në kuadër të Projektit të Reformës Policore të financuar nga Mbretëria e Bashkuar, i cili synon menaxhimin e burimeve policore në nivel strategjik.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, u takua me ekspertët e dërguar nga qeveria britanike, të cilët janë angazhuar në zbatimin e projektit të iniciuar në vitin 2023.
Drejtor Proda i falenderoi ekspertët për kontributin e tyre deri më sot, të pasqyruar edhe në ligjin e ri për Policinë e Shtetit. Ai i garantoi ata për vendosmërinë e tij për të vijuar bashkëpunimin me qëllim për ta përfunduar procesin e modernizimit të Policisë së Shtetit.
Ekspertët e falenderuan Drejtorin e Përgjithshëm për prioritetin që i ka dhënë bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, përfshirë mbështetjen e pakushtëzuar nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat janë të përfshira në këtë projekt.
30 rekomandime shumë të vlefshme u dhanë për Policinë e Shtetit në kuadër të Projektit të Reformës Policore të financuar nga Mbretëria e Bashkuar, të cilat synojnë përmirësimin e aspekteve organizative dhe financiare të Policisë së Shtetit, si dhe policimin në komunitet dhe marrëdhënien me median dhe qytetarët.
(Balkanweb)