Në podcast EduVision në News24 ishte profesori i asociuar Nazmi Xhomara, pedagog i brendshëm prej shumë vitesh në Universitetin Luarasi.
Xhomara tha se fokusi i tij janë lëndët e formimit akademik dhe kërkimor, që në nivelin Bachelor mund të përkthehen në metodat e kërkimit, shkrimit akademik.
Ai tha se metodat e kërkimit të avancuar janë në Master dhe Lidership po në programet Master.
“Jam i fokusuar edhe në veprimtaritë kërkimore shkencore që zhvillohen në Universitetin Luarasi, ku përfshihen edhe konferencat vjetore, publikimin e artikujve shkencore, mbështetjen dhe motivimin e stafit për publikime, sidomos në revistat e indeksuara”, tha Xhomara.
Duke folur për mënyrën e realizimit të kërkimit shkencor në Universitetin Luarasi, Xhomara tha se kërkimi shkencor të pasuron profesionalisht dhe pas çdo kërkimi që një pedagog bën, në leksionin e rradhës, ka diçka më shumë për të shtuar, ka një eksperiencë të re.
“Në Universitetin Luarasi pedagogët kanë mundësi që punimet e tyre kërkimore ti referojnë në konferencat vjetore, në të cilat ne kemi rritur pak kërkesat, por ky është në interes qoftë të pedagogëve, qoftë të Universitetit. Pasi kjo rrit audiencën, sikundër rrit rankimin për çdo publikimin. Një tjetër risi është revista “Mendimi” që botohet në shqip, por edhe një revistë në gjuhën angleze. Gjithashtu Universiteti nxit stafin për të marrë pjesë në sa më shumë konferenca kombëtare, rajonale, europiane dhe më gjerë, në mënyrë që akademikët të jemi pjesë e një rrjeti ndërkombëtar akademikësh”, tha Xhomara.
Ai tha se në kërkimin shkencor duhet të ketë një vëmendje më të madhe të Universiteteve sa i takon studentëve. Xhomara tha se lëndët e kërkimit shkencor duhet të jepen nga specialistë, që të kenë specializimin e duhur. “Duhet të ketë një rritje të standardeve, të ketë një klimë pozitive, pse jo të përdoren edhe forma motivuese”, tha Xhomara.
Duke folur për kërkimin shkencor, profesori zgjodhi të përdorë një përkufizim: përdorimi i shkencës në formimin e dijes.
“Disiplinat akademike që kemi në të gjitha fushat janë rezultat i kërkimeve shkencore dhe kjo ëhstë dija më e rëndësishme që përdor shoqëria, grupe të caktuara etj”, tha Xhomara.
Ai u shpreh se kërkimi shkencor është burim jo vetëm i dijes, por edhe përmirësim i jetës shoqërore. “Kërkimi shkencor është i pafundëm, të gjitha teoritë janë ritestuar dhe do të ritestohen, pasi është një proces që nuk ka fund”, u shpreh Xhomara.
Duke shpjeguar kërkimin shkencor, profesori tha se pikë së pari është ngritja e hipotezave, formulimi i pyetjeve kërkimore, përcaktimi i metodologjisë, cilat janë metodat që do të përdoren, përcaktimi i instrumenteve së mbledhjes së të dhënave, më pas kemi analizat dhe nxjerrja e përfundimeve dhe në fund publikimi i të dhënave mbi kërkimin shkencor.
Ai tha se të gjitha Universitetet kanë detyrim mësimdhënien dhe kërkimin shkencor, duke shtuar se këto shkojnë në mënyrë paralele.
“Çdo pedagog do të bëjë rrugëtimin e tij akademik dhe për këtë arsye, një nga kushtet bazike është kërkimi shkencor, zhvillimi i kërkimeve dhe publikimet. Një arsye tjetër është zhvillimi profesional i stafit akademik dhe rruga më e mirë është kërkimi shkencor”, tha Xhomara.
Ai tha se studentët duhet të përfshihen në kërkime shkencore nën udhëheqjen e studentëve.
Lidhur me rankimin e Shqipërisë përsa i takon kërkimit shkencor, profesori i Universitetit Luarasi tha se në krahasim me 1 apo 2 dekada më parë është rritur shumë vëmendja ndaj kërkimit shkencor. “Nuk jemi të paktën në nivelin e të kuptuarit krahasuar me 10 apo 20 vjet më parë. Kemi një progres, ndoshta i vogël, por kemi një progres. Sfida për të konkuruar me Universitetet Rajonale dhe më gjerë, sfida është e rëndësishme”, tha Xhomara.
Ai tha se besonte se me vullnet, në pak vitet e ardhshme, Universitetet shqiptare do të rrisin nivelin e rankimit ku janë sot dhe pse jo të jenë konkurruese me Universitetet Rajonale në mënyrë dinjitoze.
Përsa i takon studimeve për Lidershipin, Xhomara tha se është teoria më e studiuar në histori, për vetë rolin që luan Lidershipi në çdo aspekt të jetës sonë.
Xhomara tha se sipas studimeve 50% e lidershipit është e suksesshme dhe 50 % e dështuar.
“Dështimi sjell pasoja katastrofike, janë lider jo social, destruktivë, devijant, të anës së errët, të cilët nuk janë përzgjedhur në rolin e tyre siç duhet dhe nuk janë trajnuar aq sa duhet”, tha Xhomara.