Për ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja është normale refuzimi i institucioneve të drejtësisë për të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion të drejtuar nga deputeti socialist, Fatmir Xhafaj. Sipas Manjës, ky refuzim tregon se sistemi i drejtësisë është i pavarur dhe se prokurorët nuk mund të atashohen pranë Komisionit të Posaçëm.

“Në vlerësimin tim, kjo shkon në të njëjtën gjatësi vale, edhe me përqasjen që ka pavarësi sistemi. Pra sistemi ka thënë ne do t’iu japim ekspertizë ligjore sa do na kërkoni, por nuk do të prezantohemi dhe përfaqësohemi me ekspertë, dhe kjo është normale”, tha ministri i Drejtësisë.

Manja tha se të gjitha organet e drejtësisë janë të gatshme që të japin ekspertizë dhe kjo sipas tij është një shenjë e bashkëpunimit.
“Janë treguar të gatshëm të afrojnë ekspertizë ligjore, por jo me prezencë fizike të ekspertëve, pasi nuk besoj se është normale që të ketë prokurorë të caktuar që të atashohen pranë një komisioni të caktuar”, tha Manja.

Këtë të hënë u prezantua Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024-2030. Ky dokument është hartuar nga Ministria e Drejtësisë, ku sipas Ministrisë do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin dhe zbatimin e reformave në sektorin e drejtësisë. Në tryezë morën pjesë edhe Kreu i SPAK Altin Dumani, kreu i prokurorisë së përgjithshme Olsian Çela, drejtuesja e BKH Aida Hajnaj, kreu i ILD, Artur Metani. Në tryezë ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb