Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar mbi turizmin. Sipas qeverisë janë të paktën 10 milionë turistë që këtë sezon veror kanë hyrë dhe kanë dalë nga Shqipëria. Por çfarë turizmi ofroi Shqipëria këtë sezon, çfarë ndodhi me turizmin këtë vit dhe cili ëhstë modeli turistik për të ndjekur në të ardhmen.
Sipërmarrësi i turizmit Rrahman Kasaj, kryetari i Unionit Turistik, tha se sjell në Shqipëri rreth 150 mijë turistë të huaj, në mënyrë të organizuar.
Kasaj tha se vërtet mund të mos kemi një mekanizëm që të nxjerrë numrin e saktë të turistëve, por një gjë është e sigurt që turizmi si sektor ka rritjen më të madhe.
“Ata turistët e mirrfilltë, që kanë një konsum 80 euro në ditë, por kemi edhe ata shqiptarët me pasaportat e huaja, që vijnë në Shqipëri me 2 mijë euro në xhep dhe ikin pa asnjë lek”, tha Kasaj.
Ai u shpreh se nuk është në gjendje të thotë nëse kemi 9.7 mln turistë, por përderisa kemi 8.5 mln udhëtarë përmes aeroportit të Rinasit, tregon se kemi një rritje.
“Përveç aeroportit keni flukset nga portet dhe nga pikat e Kalimit Kufitar tokësor.
Kemi një rritje të tureve kulturore, por ka një rënie të turistëve në plazh. Dy janë faktorët që ka rënie në plazh: rënia e dy tregjeve kryesore, nga Italia dhe Kosova, për pushime, dhe së dyti nga rritja e çmimeve, që më pas u korrigjua.
Nga rritja e çmimeve ra tregu italian dhe ai nga Kosova. Por kjo rënie e pushuesve në plazhe, u kompensua nga turet kulturore”, tha Kasaj.
Ai tha se ka një rritje të padiskutueshme të turistëve në Shqipëri.
“Nëse vjet kemi deklaruar 10.1 mln turistë, 2 mln prej tyre kanë qenë tranzit, këta nuk mund të konsiderohen turistë, pasi këta nuk bëjnë asnjë natë fjetje. E njëjta situatë mund të jetë edhe këtë vit, pra nëse kemi mbi 10 mln turistë, nuk duhet të përfshihen ata që janë tranzit, apo ata të kroçereve, pasi nuk konsumojnë”, tha Kasaj.