Hapet kapitulli i parë i negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE. Sot në Luksemburg mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Takimi drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, vend i cili mban Presidencën e radhës së BE-së. Pas takimit rreth orës 09:25 pritet një konferencë për shtyp e kryeministrit Edi rama dhe ministrit Hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.

Shqipëria do të përfaqësohet në këtë konferencë nga Kryeministri Edi Rama, Kryenegociatorja Majlina Dhuka si dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Në tryezë për palët shqiptare do të jenë dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen ditën e nesërme, te njohura si “Themeloret”.

Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grupkapitullin 1, që përfshin fushat dhe kapitujt e negociatave si:

Funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike

Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore

Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria

Kriteret ekonomike

Kapitulli 5 – Prokurimi publik

Kapitulli 18 – Statistikat

Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.

Negociatat për grupkapitullin 1 hapen të parat dhe mbyllen të fundit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper II) miratoi qëndrimin e përbashkët të BE-së duke hapur grupin e parë të negociatave me Shqipërinë, duke lejuar kështu mbajtjen e një konference ndërqeveritare me Shqipërinë më 15 tetor 2024 në Luksemburg.

Shqipëria do të jetë e para ndër vendet kandidate që do të hapë negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, e cila do të jetë një moment kyç për vendin e Ballkanit Perëndimor.

Grupi i parë i kapitujve mbulon reformat themelore, duke i hapur rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. Progresi në këto reforma do të përcaktojë gjithashtu ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi pak ditë më parë se Shqipëria shkon e mirëorganizuar, e qartë në atë që kërkon, e bindur që do të përfaqësojë vlerat më të mira të vetat.

“Qeveria ka plotësuar pjesën më të madhe të detyrimeve të saj. E gjithë përpjekja, është përpjekja e të gjithë shoqërisë shqiptare që ne të vazhdojmë punën që kemi arritur deri më sot.
Lutem të gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, që këtë moment historik ta konsiderojnë moment historik të tyrin dhe jo të asnjë grupi apo individi të përfshirë në të”, tha ai.

Hasani theksoi se kjo nuk është pjesë parash apo punë xhepash. “Ky është momenti më i rëndësishëm i marrëdhënies së Shqipërisë me Bashkimin Evropian, me familjen në të cilën ne bëjmë pjesë”, u shpreh ministri i jashtëm.

Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç në proceset integruese të një vendi për në BE. Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat përmes Konferencës Ndërqeveritare. Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim.

Për qëllime të procesit të negociatave, acquis i BE-së ndahet në 35 kapituj negociues (fusha politikash). Vendi kandidat nuk negocion mbi acquis e BE-së, por mbi transpozimin e zbatimin e tij.

Më 26 mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb