Sulmi i Rusisë në qytetin jugor ukrainas, Mykolaiv ka vrarë një person dhe ka plagosur të paktën 16 të tjerë, ka thënë kreu i administratës ushtarake të rajonit të martën, raporton Reuters.
Sulmi ka dëmtuar një objekt të infrastrukturës, një kompleks restorantesh, qendra tregtare, ndërtesa të banimit dhe makina, ka thënë guvernatori, Vitaliy Kim në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Shërbimet e emergjencës kanë thënë se sulmi ka shkaktuar edhe zjarre, dy prej të cilëve janë shuar.
Ushtria ukrainase ka thënë se forcat ruse kanë përdorur shtatë raketa “S-300/400” për ta goditur rajonin, bashkë me 17 dronë dhe dy raketa të tjera të lëshuara në rajonet e tjera.
Forcat ajrore kanë rrëzuar 12 dronë dhe katër të tjerë kanë “humbur”, siç duket për shkak të luftës aktive elektronike, sipas ushtrisë.
Sulmet e Rusisë në jug të Ukrainës këtë muaj, kanë shënjestruar infrastrukturën e rëndësishme në rajonin Mykolaiv dhe infrastrukturën e portit në rajonin e Odesës.
Moska ka mohuar në mënyrë të vazhduar se ka shënjestruar civilët dhe infrastrukturën civile, edhe pse sulmet ruse kanë vrarë mijëra civilë që nga shkurti i vitit 2022.