Kryeministri Edi Rama foli gjatë konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE në Luksemburg ku u çelën grupkapitujt e parë të anëtarësimit, për marrëveshjen e refugjatëve me Italinë. Kreu i qeverisë zbuloi se Tirana ka marrë kërkesa edhe nga vende të tjera të BE, por që përgjigjja ka qenë refuzuese.

Rama tregoi edhe arsyet pse qeveria shqiptare iu përgjigj pozitivisht Italisë duke pranuar ndërtimin e dy kampeve të refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër, ku do të përpunohen dhe akomodohen emigrantët e vendeve të treta të cvilët mbërrijnë brigjet italiane.

Edi Rama: Po, na është kërkuar nga të tjerë dhe kemi thënë jo. Gjithkush duhet të kuptojë se marrëdhënia jonë me Italinë është e veçantë shkon pas me mijëra vjet, shkon pas në kohë me shumë volume domethënëse veprimi të 30 viteve të fundit. Dolëm nga gropa e ferrit të regjimit më mizor komunist në Europë, kur u larguam me qindra mijëra nga brigjet tona dhe Italia hapi krahët për ne, apo kur Italia të na shpëtonte nga një katastrofë e mundshme financiare pas rënies së skemave piramidale dhe duke ardhur te ditët e tërmetit që Varhelyi i përmendi me finesë që shënoi edhe rindërtimin e kësaj marrëdhënie. Pjesëtarët italianë ishin të parët që erdhën për të shpëtuar jetë nën rrënoja. Ne nuk jemi vend i BE, ne jemi europianë dhe kjo nuk është certifikatë që jepet nga Brukseli. Gjeografia jonë flet shumë për atë që kemi bërë me Italinë. Nëse ka ndonjë gjë për t’u zhvilluar mbi këtë nivel duhet të jetë në shkallë të epërme të BE dhe Ballkanit Perëndimor. Kjo është për të kuptuar se BE dhe Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojnë pranë dhe të punojnë me njëri-tjetrin. Dukuria e emigracionit nuk zgjidhet një copë këtu dhe një copë atje, por me një qasje gjithësore. Një gjë është të luftosh emigracionion e paligjshëm dhe një gjë tjetër është të garantosh migracion të rregullt. Dhe Europa duhet t’i bëjë të dyja këto.

Ne jemi shumë të prirur të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme për të qenë një shtet krenar i BE. Ne e dimë peshën tonë dhe pse jam ndër më të gjatët ndër kryeministrat, përfaqësoj vendin më të vogël. Për të voglin ka një punë të madhe për të bërë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb