Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkuan që të gjitha palët të respektojnë personelin dhe objektet e Forcave të Përkohshme Paqeruajtëse të OKB-së në Liban (UNIFIL), duke deklaruar se janë thellësisht të shqetësuar për sulmet ditëve të fundit ndaj UNIFIL-it, transmeton Anadolu.

Përfaqësuesja e Përhershme e Zvicrës në OKB dhe njëherësh presidente aktuale e Këshillit, Pascale Baeriswyl dha një deklaratë për mediat pas seancës së mbyllur për Libanin në KS-OKB.

Duke tërhequr vëmendjen se tensionet janë rritur në “Vijën e kaltër” në kufirin Izrael-Liban, Baeriswyl tha se anëtarët e KS-OKB-së janë thellësisht të shqetësuar për zjarrin e hapur ndaj objekteve të UNIFlL-it ditët e fundit.

Pasi rikujtoi se disa ushtarë paqeruajtës u plagosën, Baeriswyl tha se “Anëtarët e OKB-së kërkojnë respekt për personelin dhe objektet e UNIFIL-it dhe nënvizojnë se paqeruajtësit dhe objektet e OKB-së nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër”.

“Anëtarët e KS-OKB-së kanë përsëritur mbështetjen e tyre për UNIFIL-in”, tha Baeriswyl e cila shtoi se anëtarët e OKB-së shprehën shqetësimet e tyre për vdekjen, shkatërrimin dhe zhvendosjen e civilëve.

Ajo theksoi se anëtarët e KS-OKB u bënë thirrje të gjitha palëve të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe potencoi se duhet të respektohet rezoluta 1701 e KS-OKB-së.

UNIFIL njoftoi më 10 tetor se dy paqeruajtës u plagosën si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite në një kullë vëzhgimi.

Ushtria izraelite bastisi objektet e UNIFIL-it në jug të Libanit më 13 tetor dhe shkatërroi portat e objektit me tanke.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: