Një fitore me “poker” golash për të konfirmuar momentin fantastik që po kalojnë. Italia fiton dhe bind përballë Izraelit, një sukses 4-1 që i dhuroi përfaqësueses “azzurre” kreun e grupit A4.

Në Udine, djemtë e Spallettit hasën pak vështirësi në fillim pasi goli i avantazhit erdhi vonë, në minutën e 41-të, me Retegui që u tregu perfekt nga pika e bardhë e penalltisë. Në fraksionin e dytë, ishte kapiteni Di Lorenzo që u shërbye pastër brenda në zonë dhe me një goditje të fortë dyfishoi shifrat. Në mënyrë krejt të papritur, Izraeli u rikthye në lojë, me një gol drejtpërdrejtë nga goditja e këndit. Italia kishte kontrollin total të lojës dhe me një aksion të bukur në minutën e 72-të, Frattesi dërgoi shifrat në 3-1.

Për të kompletuar “pokerin” e golave mendoi Di Lorenzo me kapitenin që përjetoi një mbrëmje magjike me një “dopietë” personale.

Në përfundim të ndeshjes, Luciano Spalletti u shfaq i kënaqur me fitoren, por në sytë e tij ekipi mund të bëj akoma më mirë: “Shumë mirë kështu, edhe pse kishim mundësi të realizonim më shumë gola. U treguam një skuadër edhe sot. Shkuam shpesh në zonën e tyre, dolëm një kundër një me portierin shumë herë, kjo do të thotë se kemi krijuar diçka të rëndësishme. Në nëntor na presin dy sfida të forta, duhet të bëjmë rezultat për të mbajtur Beligjikën larg”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: