Ngjarja e rëndë në fshatin Kurjan të Roskovecit ku dy vëllezër u vranë me armë nga një 49-vjeçar me të cilin kishin lidhje farefisnore tronditi jo vetëm lokalitetin e zonës, por edhe opinionin publik në gjithë vendin. Krimi i dyfishtë dhe dëshmitë e familjarëve të viktimave janë sjellë në emisionin “Me zemër të hapur” të autores dhe moderatores Evis Ahmeti në News24. Vëllai i viktimave Guxim Kurtaj tha se nuk kanë pasur konflikte dhe se kanë qenë në punën e tyre.
“Nuk kemi pasur problematika asnjëherë, jo me Altinin po me askënd. Nuk flas dot, nuk mundem. Ne nuk kemi pasur probleme me ta. Më pas ngjarjes kam marrë vesh që ata ishin problematikë. Kemi qenë në punën tonë. Dhe kur grindeshin fëmijët, ne iu flisnim fëmijëve tanë”, tha ai.
Guximi tregoi se lajmin e kishte marrë nga mbesa. “Lajmin ma dha mbesa. Atë ditë nuk i kisha marrë në telefon se çdo ditë i merrja. Mbesa më tha xhaxhi se çfarë ka ndodhur në Kurjan”, tregoi vëllai i viktimave.
Me Ladin kisha folur për herë të fundit. “Sa t’i vete dheut asgjë tjetër nuk kam”, thotë ai mes lotësh.
“Ka varje, ka pushkatim për të. Se nuk i kishim faj për asnjë lloj gjëje”, tha i vëllai i viktimave duke i mbyllur derën mundësisë për falje.
Autori i krimit, 49-vjeçari u vetëdorëzua në polici bashkë me armën, teksa u shoqëruan në polici dhe dy djemtë e tij.
Një sherr banal u bë shkak për vrasjen e dy vëllezërve Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, të cilët u ekzekutuan me automatik nga Altin Kuka.
Familjarët sot kanë protestuar një muaj pas vrasjes para Gjykatës për të kërkuar drejtësi.
Ngjarja e rëndë u shënua në orën 14:00 të 10 shtatorit 2024 para një lokali të vogël në pronësi të familjes, Kurtaj, shumë pranë banesave të viktimave.
(BalkanWeb)