Dy biznesmenë ndërtimi të rinj në moshë, 19 dhe 22 vjeç, dyshohet se janë në krye të një skemë mashtrimi me TVSH-në.

Në bashkëpunim edhe me 2 biznesmenë të tjerë ndërtimi në Fushë-Krujë, ata kanë lëshuar fatura fiktive shitjeje tek kompani gjithashtu fiktive, me qëllimin  e vetëm për të përfituar TVSH-në. Përllogaritur nga tatimet, dëmi në buxhet mbi këtë skemë, është mbi 127 milionë lekë të rinj.

1.3 milionë euro dëm i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit këta 4 biznesmenë ndërtimi, përmes një skeme mashtrimi me TVSH.  Ata kanë biznese në Fushë-Krujë, e më i riu mes tyre është vetëm 19 vjeç. Indrit Allamani 48 vjeç është i vetmi i arrestuar, ndërsa 3 bashkëpunëtorët e tij, Indrit Visha 35 vjeç, Redion Sefa 22 vjeç e Lovjano Topi 19 vjeçar, janë në kërkim me vendim të gjykatës së Durrësit e cila caktoi në mungesë masën “arrest me burg”.

Njoftimi i policisë:

Durrës/ Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i një hetimi disamujor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, finalizoi operacioni policor të koduar “Skema”.

Hetimi i iniciuar nga Prokuroria identifikoi 7 shtetas, të cilët deklaronin të dhëna financiare fiktive të subjekteve që administronin apo ku ishin të punësuar, për të shmangur detyrimet tatimore. Nga kjo veprimtari kriminale dëmi ekonomik ndaj shtetit, përllogaritet rreth 3 milionë euro.

Ekzekutohen masat e sigurisë, të caktuara nga Gjykata e Durrësit, për 4 shtetas. Shpallen në kërkim 3 shtetas me masë sigurie “Arrest në burg”.

Pas një hetimi disamujor, me metoda proaktive, me objektiv zbardhjen e një skeme mashtrimi që kryhej nga administratorët dhe punonjësit e disa subjekteve ekonomike me aktivitete në fushën e ndërtimit dhe shërbimeve mbështetëse, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Durrës, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Durrësit dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Skema”, ekzekutoi këto masa sigurie:

“Arrest në burg” për shtetasin I. A., 48 vjeç, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;

“Arrest në shtëpi” për shtetasen A. P., 36 vjeçe, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;

“Detyrim paraqitjeje” për shtetasin A. M., 34 vjeç, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;

“Detyrim paraqitjeje” për shtetasen B. Ç., 34 vjeçe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në vijim të këtij operacioni, u shpallën në kërkim shtetasit I. V., 35 vjeç, R. S., 22 vjeç dhe L. T., 19 vjeç, të tre me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Nga hetimet dyshohet se administratorët e subjekteve, shtetasit R. S., I. A., A. M. dhe L. T., në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë me masa sigurie, të punësuar në këto subjekte, kanë mashtruar për të ardhurat/shpenzimet e deklaruara, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Kjo veprimtari kriminale dyshohet t’i ketë sjellë shtetit, rreth 3 milionë euro dëm ekonomik.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: