Franca dënoi në mënyrë të ashpër sulmet e Izraelit, të cilat kanë shënjestruar disa herë kampet e refugjatëve Jabalia, Nuseirat dhe Al-Shati në Rripin e Gazës dhe infrastrukturat civile në Deir al-Balah ku janë të strehuar palestinezët e zhvendosur, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Francës thuhet se janë të shqetësuar përballë seriozitetit të situatës në veri të Gazës, ku ushtria izraelite prej ditësh po kryen sulme të rënda.

“Këto sulme kanë shkaktuar shumë viktima. Zhvendosja e detyruar e civilëve është shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se dënohen ashpër sulmet e Izraelit, të cilat kanë shënjestruar disa herë kampet e refugjatëve Jabalia, Nuseirat dhe Al-Shati në Rripin e Gazës dhe infrastrukturat civile në Deir al-Balah ku janë të strehuar palestinezët e zhvendosur. “Këto sulme kundër civilëve janë të papranueshme”, thuhet në deklaratë.

Izraelit iu kërkua të garantojë siguri të përhershme për të gjithë civilët dhe të lehtësojë qasjen e menjëhershme në ndihma humanitare për popullatën. Në një tjetër deklaratë të Ministrisë së Jashtme, është dënuar sulmi i djeshëm i Hezbollahut ndaj një baze ushtarake që i përket ushtrisë izraelite, ndërsa është theksuar përkushtimi i Francës për sigurinë e Izraelit.

Deklarata bëri thirrje që Hezbollahu t’u japë fund sulmeve të tij kundër Izraelit.

Hezbollahu kreu sulm me dron (UAV) ndaj një baze ushtarake që i përket ushtrisë izraelite në jug të Haifas. Në sulm humbën jetën 4 ushtarë dhe u plagosën 58 të tjerë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: