Ersela, bashkëshortja e Lavdimir Kurtit, i cili u vra bashkë me vëllain Gramosin më 10 shtator në fshatin Kurjan të Roskovecit ka folur sot për emisionin “Me zemër të hapur” të autores dhe moderatores Evis Ahmeti në News24. Bashkë me familjarë të tjerë të viktimave ajo ka qenë sot para Gjykatës së Apelit për të të kërkuar drejtësi për krimin e rëndë.
Në një lidhje ‘live’ me emisionin, ajo tha se nuk e njihte autorin Altin Kuka dhe nuk kishin pasur kurrë asnjë përplasje. Ajo tregoi se fëmijët e kanë shumë të vështirë të pranojnë humbjen e babait dhe më të vështirë e ka djali i vogël 7-vjeçar, të cilit nuk di si t’i përgjigjet kur pyet për të atin.
“Nuk e njihja këtë njeri, por kunetërit e mi e njihnin. As fëmijët e Altinit nuk i kam njohur. Ka qenë ardhës në Kurjan. Sherri ka nisur nga ata me një punëtor që punonte te pularia”, tha ajo.
“Fëmijët e kanë shumë të vështirë. Përpiqem tua shpjegoj. Me djalin e vogël e kam shumë të vështirë, ai më pyet dhe nuk di si t’i përgjigjem”, tha gruaja ndër të tjera.
Ajo kërkoi dënimin maksimal për autorin dhe që të vihet drejtësi për vrasjen e dy vëllezërve. “Dua që të vihet drejtësia sa më shpejt”, tha bashkëshortja e Lavdimirit.
(BalkanWeb)